Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë vërtetojnë rritje të depozitave, si në lekë, ashtu edhe në euro. Në fund të muajit qershor, stoku i depozitave në lekë arriti 547 miliardë lekë, me një rritje prej 1% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ose 5.9 miliardë lekë më shumë. Rritja e qershorit ka ardhur si nga bizneset ashtu dhe nga individët.
Edhe pse normat e interesit janë rritur ndjeshëm gjatë muajve të fundit, si pasojë e ndëhyrjeve të njëpasnjëshme të Bankës Qendrore për të frenuar inflacionin, kjo nuk është reflektuar në ndonjë rritje të fortë të depozitave. Rritja vjetore e tyre ishte vetëm 0.8%, duke sinjalizuar paaftësinë e pjesës më të madhe të qytetarëve për të kursyer si pasojë e rritjes së fortë të çmimeve dhe kostove të jetesës.
Në anën tjetër, kursimet në euro kanë vijuar rritjen e qëndrueshme edhe gjatë muajit qershor. Sipas të dhënave të bëra publike nga BSH, depozitat në fund të muajit qershor arritën në 6.69 miliardë euro, me një rritje prej 1.31% në krahasim me muajin e mëparshëm, ose 87 milionë euro më shumë. Me bazë vjetore, depozitat në euro janë rritur me 17.3%, ose 987 milionë euro më shumë.
Rritja e fortë e depozitave në euro vërteton praninë e gjerë të monedhës evropiane në treg, gjë që ka sjellë edhe nënçmimin e saj afër 100 lekëve. Gjithsesi, ditët e fundit është vënë re një rikuperim i shpejtë i vlerës së monedhës evropiane, që sipas ekspertëve, mund të ketë ardhur si pasojë e ndërhyrjeve të fundit të Bankës Qendrore, por edhe bankave tregtare që kanë blerë euro për nevojat e tyre, nisur edhe nga kursi favorizues. /ekofin.al
