Muaji janar 2026 ka nisur me rënie të numrit të turistëve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri shënuan rënie me -1.5% krahasuar me janarin e vitit 2025, duke zbritur në 552,187 persona, nga 560,393 një vit më parë.
Në total, në territorin e Republikës së Shqipërisë hynë 1,196,550 shtetas shqiptarë dhe të huaj gjatë muajit janar, me një rritje të përgjithshme prej 3.3% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë, kjo rritje mbështetet tërësisht nga shtetasit shqiptarë, hyrjet e të cilëve u rritën me 7.8%, duke arritur në 644,363 persona.
Rënia e të huajve vjen në një moment kur Shqipëria ka regjistruar rekorde të njëpasnjëshme turistike gjatë viteve 2024 dhe 2025, çka e bën edhe më të dukshme ngadalësimin në muajin e parë të vitit. Edhe daljet e shtetasve të huaj kanë shënuar tkurrje më të fortë, me -6.2%, duke zbritur në 602,913 persona.
Struktura gjeografike e hyrjeve tregon se Evropa vijon të dominojë bindshëm fluksin e turistëve, me 531,961 hyrje në janar 2026. Brenda saj, Evropa Jugore përbën peshën kryesore, me 470,070 hyrje, shumë pranë nivelit të një viti më parë (471,395).
Ndërkohë, rënia është më e theksuar në disa nënrajone të tjera evropiane. Hyrjet nga Evropa Qendrore/Lindore zbritën në 15,729 nga 19,548 një vit më parë, ndërsa ato nga Evropa Lindore/Mesdheu në 13,192 nga 15,375. Edhe Evropa Perëndimore shënoi një rënie të lehtë, nga 19,681 në 18,751 hyrje.
Jashtë kontinentit evropian, lëvizjet janë më të fragmentuara. Hyrjet nga Azia Lindore dhe Paqësori ranë në 2,842 nga 3,585, ndërsa nga Amerika pati një tkurrje të lehtë në 10,803 nga 11,030. Në të kundërt, u rritën hyrjet nga Afrika (1,795 nga 1,216) dhe Azia e Jugut (2,361 nga 2,087), megjithëse këto rajone mbeten me peshë të vogël në total.
Sipas INSTAT, 98% e hyrjeve të shtetasve të huaj realizohen për qëllime personale, ku përfshihen pushimet, vizitat tek të afërmit, trajtimet shëndetësore apo tranziti. Në janar 2026, hyrjet për qëllime personale shënuan rënie me -1.4% krahasuar me një vit më parë, ndërsa ato për qëllime biznesi dhe profesionale ranë me -5.7%.
Këto shifra sugjerojnë se rënia nuk lidhet vetëm me turizmin klasik, por edhe me lëvizjet e lidhura me aktivitetin ekonomik ndërkombëtar.
Në anën tjetër të statistikës, daljet totale nga Shqipëria arritën në 1,343,073 persona në janar 2026, me një rënie prej -1.3% në krahasim me janarin 2025. Daljet e shtetasve shqiptarë u rritën me 3.1%, ndërsa ato të huajve ranë me -6.2%.
Edhe pse janari konsiderohet tradicionalisht muaj sezonal me fluks më të ulët turistik krahasuar me periudhën verore, tkurrja e hyrjeve të të huajve në nisje të vitit 2026 do të monitorohet me kujdes në muajt në vijim, për të kuptuar nëse kemi të bëjmë me një luhatje të përkohshme apo me faktin se tashmë numri i turistëve ka arritur pikun dhe vitet e fundit dhe tashmë do të ketë një stabilizim të shifrave. / ekofin.al

