Lidhur me situatën e krijuar në aksin rrugor Librazhd–Korçë dhe raportimet mbi gjendjen e linjave të transmetimit të energjisë elektrike, Operatori i Sistemit të Transmetimit ka dalë me një sqarim zyrtar.
Sipas OST-së, në shtyllën nr. 15 të linjës 110 kV Librazhd–Përrenjas, e cila është shtyllë anketore, është konstatuar një rrëshqitje e terrenit në zonën përreth saj. Megjithatë, deri në këto momente, shtylla nuk ka pësuar asnjë deformim apo lëvizje strukturore.
Autoriteti bën me dije se situata po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm nga specialistët përkatës, të cilët po ndjekin nga afër zhvillimet në terren. Paralelisht, po shqyrtohet edhe mundësia e përcaktimit të një sheshi të ri për vendosjen e shtyllës, në rast se do të jetë e nevojshme ndërhyrja.
OST siguron se aktualisht nuk ka rrezik për funksionimin e linjës së transmetimit dhe se çdo veprim do të ndërmerret në kohë, me qëllim garantimin e sigurisë dhe vazhdimësisë së furnizimit me energji elektrike.
