Operatori i Blerjeve të Përqendruara sh.a ka hapur procedurën e prokurimit për instalimin e sistemit elektronik E-Gate në PKK Porti Durrës dhe PKK Porti Sarandë, një investim me fond limit 137,388,000 lekë pa TVSH, ose rreth 1.42 milionë euro, i financuar nga Buxheti i Shtetit.
Procedura zhvillohet si “E Hapur mbi kufirin e lartë monetar” dhe me afat zbatimi 6 muaj nga nënshkrimi i kontratës. Ofertat do të dorëzohen elektronikisht në platformën e APP-së deri më 24 mars 2026, ora 11:00.
Objekti i kontratës përfshin instalimin e një sistemi të integruar elektronik për kontrollin e aksesit dhe përpunimin e të dhënave në dy nga pikat më të rëndësishme kufitare detare të vendit. Dokumentacioni thekson se kontrata nuk është ndarë në lote për shkak të natyrës së integruar dhe të ndjeshme të sistemit, i cili përfshin furnizim, instalim, konfigurim, integrim dhe mirëmbajtje të komponentëve hardware dhe software të ndërlidhur ndërmjet tyre. Fragmentimi i kontratës, sipas argumentimit të autoritetit kontraktor, do të sillte rrezik për mospërputhje teknike, vonesa në implementim dhe paqartësi përgjegjësish në rast incidentesh sigurie.
Sistemi E-Gate, për nga natyra, kërkon integrim të sistemeve elektronike të kontrollit të aksesit, pajisjeve biometrike, sistemeve të sigurta të komunikimit dhe ndërveprim të plotë hardware–software në një arkitekturë të unifikuar. Projekti konsiderohet i ndjeshëm, pasi përfshin trajtimin e të dhënave konfidenciale dhe operimin në mjedise me protokolle të larta sigurie, si portet dhe infrastruktura kritike.
Kriteri i përzgjedhjes është “oferta ekonomikisht më e favorshme, bazuar në kosto”, ku çmimi peshon 65 pikë, ndërsa kualifikimi dhe kompetencat profesionale të stafit teknik deri në 35 pikë. Pesha e konsiderueshme e vlerësimit teknik reflekton kompleksitetin e projektit dhe rëndësinë e menaxhimit të riskut në implementimin e një sistemi me ndjeshmëri të lartë sigurie.
Dokumentet kërkojnë një Menaxher Projekti të certifikuar (PMP ose ekuivalent), specialist me certifikime në sigurinë e informacionit si ISO/IEC 27001 Lead Implementer, ISO/IEC 27001 Lead Auditor, CISM, CISSP ose ekuivalente, si dhe specialist për implementimin dhe konfigurimin e integrimit të sistemit përmes API-ve të sigurta dhe mekanizmave të ndërveprimit institucional. Përvoja në projekte të ngjashme, veçanërisht në pika kufitare, porte, aeroporte apo institucione me nivel të lartë sigurie, konsiderohet element kyç në vlerësim.
Sigurimi i ofertës është përcaktuar në vlerën 2,747,760 lekë, ose rreth 28,503 euro, ndërsa periudha e vlefshmërisë së ofertës është 150 ditë.
Ky investim vjen në një moment kur modernizimi i infrastrukturës kufitare dhe rritja e standardeve të sigurisë janë kthyer në prioritet. I pari që e ka implementuar me sukses një sistem të tillë ka qenë Aeroporti i Rinasit, i cili është në menaxhim nga Grupi Kastrati. Implementimi i E-Gate në Portin e Durrësit dhe atë të Sarandës pritet të përmirësojë fluksin e përpunimit të pasagjerëve, të rrisë saktësinë e kontrollit elektronik dhe të forcojë mbrojtjen e të dhënave, duke e afruar menaxhimin kufitar me standardet bashkëkohore të sigurisë dhe ndërveprimit institucional. /ekofin.al
