Tregtia e jashtme e mallrave e ka nisur vitin 2026 me rënie si në krahun e eksporteve ashtu edhe të importeve, duke reflektuar një ngadalësim të aktivitetit tregtar në krahasim me një vit më parë, por edhe një korrigjim të fortë mujor pas nivelit të lartë të dhjetorit.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në janar 2026 eksportet e mallrave arritën vlerën 26,7 miliardë lekë, në rënie me 4,5% krahasuar me janarin 2025 dhe me 0,3% në raport me dhjetorin 2025. Ndërkohë, importet zbritën në 57,9 miliardë lekë, me një tkurrje 4,0% në terma vjetorë dhe një rënie të fortë 27,5% në krahasim me muajin paraardhës.
Si rezultat, deficiti tregtar për muajin janar u ngushtua në 31,1 miliardë lekë, duke shënuar rënie 3,6% ndaj janarit të kaluar dhe 41,3% krahasuar me dhjetorin 2025.
Rënia vjetore prej 4,5% e eksporteve është ndikuar kryesisht nga disa grupe kryesore mallrash. Kontributin më negativ e ka dhënë grupi “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -2,9 pikë përqindje, duke reflektuar luhatjet në tregjet energjetike dhe minerare. Pas tij renditet grupi “Tekstile dhe këpucë” me -1,8 pikë përqindje, një sektor tradicionalisht i orientuar drejt eksporteve, si dhe “Produkte kimike dhe plastike” me -0,4 pikë përqindje.
Në kahun pozitiv, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” kontribuoi me +1,4 pikë përqindje, duke amortizuar pjesërisht rënien, ndërsa “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” shtoi +0,1 pikë përqindje.
Kjo strukturë tregon një zhvendosje të lehtë drejt eksporteve me përmbajtje më të lartë teknologjike, por ende me varësi të ndjeshme nga grupet energjetike dhe fasoneria.
Edhe importet shfaqën tkurrje 4,0% në terma vjetorë. Uljen më të madhe e dhanë “Materiale ndërtimi dhe metale” me -2,1 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me -2,0 pikë përqindje dhe “Produkte kimike dhe plastike” me -1,5 pikë përqindje.
Në anën tjetër, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” kontribuoi pozitivisht me +2,1 pikë përqindje, duke sinjalizuar vazhdim të investimeve në pajisje dhe teknologji, pavarësisht rënies së përgjithshme të volumit të importeve.
Rënia mujore prej 27,5% krahasuar me dhjetorin lidhet edhe me efektin sezonal, pasi fundviti tradicionalisht shënon rritje të fortë të importeve për shkak të konsumit dhe stokimit të mallrave.
Sa i përket partnerëve tregtarë, në janar 2026 eksportet shqiptare pësuan rënien më të madhe drejt Italisë (-3,6%) dhe Kosovës (-2,0%) krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, rritje të fortë shënuan eksportet drejt Gjermanisë (+30,2%) dhe Greqisë (+31,8%), duke sinjalizuar zgjerim të pranisë në këto tregje.
Në krahun e importeve, rënia më e madhe u regjistrua nga Italia (-10,3%) dhe Greqia (-3,3%), ndërsa rritje pati nga Kina (+1,8%) dhe Turqia (+13,5%).
Bashkimi Evropian mbetet partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, duke zënë 55,4% të tregtisë totale. Në janar 2026, 74,1% e eksporteve shqiptare u drejtuan drejt vendeve të BE-së, ndërsa 46,8% e importeve erdhën prej tyre.
Të dhënat e janarit sugjerojnë një fillim viti më të moderuar për tregtinë e jashtme, me tkurrje të njëkohshme të eksporteve dhe importeve, por me një përmirësim relativ të deficitit tregtar. Struktura e kontributeve tregon dobësim në sektorët energjetikë dhe të materialeve, ndërsa makineritë dhe pajisjet vijojnë të japin sinjale më pozitive.
Ecuria e muajve në vijim do të jetë përcaktuese për të kuptuar nëse kemi të bëjmë me një efekt sezonal dhe korrigjim pas fundvitit, apo me një tendencë më të qëndrueshme të ngadalësimit të flukseve tregtare./ekofin.al

