Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) vlerëson përpjekjet dhe investimet publike të Qeverisë së Shqipërisë në digjitalizimin e shërbimeve publike, përfshirë zhvillimin e platformës e-Albania, duke i konsideruar ato një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të administratës dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët dhe bizneset. Megjithatë, AmCham paralajmëron se mungesa e auditimit të detyrueshëm, e sigurisë së avancuar dhe e përditësimit të vazhdueshëm sipas standardeve ndërkombëtare, përbën rreziqe serioze për stabilitetin ekonomik, vazhdimësinë e bizneseve dhe sigurinë kombëtare.
Në një qëndrim të detajuar, AmCham shpreh shqetësim të veçantë lidhur me reagimet e vazhdueshme të anëtarëve të saj pas zhvillimeve të fundit që lidhen me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Sipas raportimeve, disa shërbime të platformës e-Albania aktualisht funksionojnë në mënyrë të paqëndrueshme dhe nuk arrijnë të përmbushin nevojat operacionale të bizneseve dhe qytetarëve.
Anëtarët e AmCham raportojnë ndërprerje të shërbimeve, vonesa të zgjatura, akses të kufizuar gjatë orareve të ngarkuara dhe performancë të paparashikueshme të sistemit. Këto probleme, sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë, kanë ndikim të drejtpërdrejtë në ndërprerjen e aktivitetit normal të bizneseve, duke vështirësuar përmbushjen e detyrimeve rregullatore, shërbimin ndaj klientëve dhe zhvillimin e operacioneve të përditshme.
Ky shqetësim merr një peshë të veçantë, pasi AmCham përfaqëson një numër të konsiderueshëm kompanish që operojnë në ekosistemin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) dhe sektorë të lidhur me të. Shumë prej këtyre kompanive janë të certifikuara ndërkombëtarisht, zbatojnë standarde të larta sigurie dhe rregullatore, ndërsa disa prej tyre janë të verifikuara dhe të autorizuara për të ofruar shërbime edhe për Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pavarësisht kësaj eksperience të fortë vendase dhe ndërkombëtare, anëtarët e AmCham raportojnë gjithashtu shqetësime të vazhdueshme lidhur me proceset e prokurimit publik në sektorin TIK. Sipas Dhomës, këto problematika cenojnë konkurrencën e ndershme dhe përdorimin efektiv të fondeve publike, duke rritur njëkohësisht rreziqet që lidhen me menaxhimin dhe mbrojtjen e të dhënave tepër sensitive.
Bëhet fjalë për të dhëna që përfshijnë informacion mbi institucionet publike, bizneset, të dhënat personale dhe pasurore të qytetarëve, si dhe informacione të tjera me rëndësi kritike për funksionimin e shtetit dhe ekonomisë. AmCham thekson se, në Shtetet e Bashkuara dhe në ekonomitë e tjera të avancuara, kompanitë e përfshira në sistemet TIK qeveritare dhe sistemet sensitive i nënshtrohen proceseve strikte të verifikimit, autorizimeve të sigurisë dhe kontrolleve financiare, përfshirë edhe kufizime mbi marzhet e fitimit, me synim garantimin e transparencës dhe mbrojtjen e fondeve të taksapaguesve.
Në këtë kontekst, Dhoma Amerikane e Tregtisë i bën thirrje Qeverisë së Shqipërisë të ndërmarrë masa korrigjuese të menjëhershme për të garantuar funksionimin e pandërprerë, të qëndrueshëm dhe të besueshëm të të gjitha shërbimeve të e-Albania-s, me fokus të veçantë te shërbimet kritike për aktivitetin e biznesit dhe proceset e prokurimit.
Për zgjidhjet afatshkurtra, AmCham propozon krijimin e një kuadri ligjor të detyrueshëm për auditime periodike dhe të pavarura të IT-së dhe sigurisë kibernetike për të gjitha platformat kritike të e-Government, në përputhje me standarde ndërkombëtare si ISO/IEC 27001, ISO/IEC 22301, NIST, SOC 2 dhe udhëzimet e ENISA. Gjithashtu, sugjerohet forcimi i mekanizmave të autorizimit të sigurisë, verifikimit dhe kontrollit të aksesit në sistemet TIK qeveritare, në linjë me Direktivën NIS2 të Bashkimit Europian.
Një tjetër element kyç është përcaktimi i kërkesave minimale për nivelin e shërbimit (SLA), që lidhen me disponueshmërinë, kohën e rikuperimit dhe performancën e sistemeve kritike, përfshirë redundancën, rikuperimin nga fatkeqësitë dhe vazhdimësinë e biznesit. Po ashtu, AmCham kërkon rritjen e efektivitetit të procedurave të prokurimit publik në sektorin TIK, përmes peshimit më të qartë të kritereve teknike, certifikimeve, përvojës dhe profilit të sigurisë së operatorëve.
Dhoma sugjeron edhe krijimin e mekanizmave të strukturuar të komunikimit për njoftimin e detyrueshëm të bizneseve dhe qytetarëve mbi mirëmbajtjet e planifikuara, incidentet dhe ndërprerjet e shërbimit, si dhe një kuadër të rregulluar për integrimin e sistemeve të autorizuara të sektorit privat me platformat e e-Government, në përputhje strikte me GDPR, eIDAS dhe standardet e sigurisë kibernetike.
Në përmbyllje, AmCham shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar ngushtë me Qeverinë e Shqipërisë, duke ofruar ekspertizë teknike dhe duke ndarë praktikat më të mira ndërkombëtare, veçanërisht ato të zbatuara në Shtetet e Bashkuara, me synim forcimin e qeverisjes, minimizimin e rreziqeve të korrupsionit, mbrojtjen e të dhënave sensitive dhe rritjen e sigurisë kombëtare dhe ekonomike. /ekofin.al
