Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj, prezantoi sot z. Dashnor Sula në detyrën e Kryeinspektorit të Përgjithshëm, në krye të Inspektoratit Qendror.
Kryeinspektori i Përgjithshëm vlerësoi besimin e dhënë dhe theksoi se përkushtimi, integriteti dhe drejtësia do të jenë parimet udhëheqëse të punës së tij. Ai nënvizoi rëndësinë e respektimit të biznesit të ndershëm, forcimit të sistemeve dhe bashkëpunimit institucional për të garantuar një sistem inspektimesh të drejtë, transparent dhe efektiv.
Në fjalën e saj, ministrja Ibrahimaj vlerësoi kontributin shumëvjeçar të ish-kryeinspektorit, z. Hajdari, duke theksuar se reforma në sistemin e inspektimeve është një proces i nisur prej vitesh, i cili ka hyrë tashmë në një fazë të re zbatimi, pas miratimit të ligjit të ri “Për inspektimet”.
Sipas saj, Inspektorati i Përgjithshëm ka një rol kyç si institucion koordinues i gjithë sistemit të inspektimeve, i cili vijon të përballet me sfida dhe kërkon përmirësim të vazhdueshëm.
Ministrja nënvizoi se në mandatin e ri qeverisës, vizioni i qeverisë është që biznesi ta shohë shtetin dhe institucionet publike si partnerë.
“Inspektimet nuk duhet të kenë logjikën e ndëshkimit, por atë të përmirësimit, duke synuar përmbushjen sa më të mirë të legjislacionit dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe produkteve të ofruara në treg”, nënvizoi znj. Ibrahimaj.
Duke u ndalur te përmbajtja e reformës, znj. Ibrahimaj theksoi se ligji i ri parashikon masa rekomanduese si hap të parë përpara penaliteteve, si dhe ndarjen e qartë të funksioneve për shmangien e konfliktit të interesit në vendosjen dhe shqyrtimin e gjobave.
Këto procese tashmë po menaxhohen nga Inspektorati i Përgjithshëm, duke i dhënë zbatim konkret reformës.
Një tjetër shtyllë e rëndësishme e reformës, sipas ministres, është profesionalizimi i trupës së inspektorëve përmes një sistemi të qëndrueshëm rekrutimi dhe trajnimi, si dhe ndërtimi i sistemeve të bazuara në analiza risku dhe digjitalizim, me qëllim rritjen e transparencës dhe forcimin e besueshmërisë së institucioneve inspektuese.
Në këtë kontekst, ministrja Ibrahimaj shprehu besimin se përvoja e gjatë administrative dhe politike e z. Dashnor Sula do të kontribuojë në përmbylljen e reformës dhe në forcimin e marrëdhënies së shtetit me biznesin, në përputhje me standardet evropiane.
Ministrja Ibrahimaj theksoi se viti në vijim do të jetë vendimtar për përmbylljen e reformës së inspektimeve, riorganizimin e inspektorateve dhe funksionalizimin e plotë të sistemeve të reja në shërbim të bizneseve dhe qytetarëve.



