Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, ka zhvilluar një takim zyrtar në Doha me Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al-Thani, në kuadër të vizitës së saj zyrtare në këtë shtet.
Gjatë takimit u diskutua mbi marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Katar, me theks të veçantë në forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe identifikimin e fushave të reja të bashkëpunimit strategjik. Palët vlerësuan pozitivisht iniciativat ekzistuese dhe shprehën gatishmërinë për të thelluar partneritetin në sektorë me potencial të lartë zhvillimi.
Në fokus të bisedimeve ishin investimet, inovacioni dhe teknologjia, si shtylla kyçe për rritjen ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm. U shqyrtuan mundësitë për projekte të përbashkëta që synojnë të nxisin transferimin e njohurive, përfshirjen e teknologjive të avancuara dhe krijimin e një klime më të favorshme për biznesin dhe investitorët.
Takimi konfirmon interesin e ndërsjellë për forcimin e dialogut ekonomik dhe institucional mes dy vendeve, si dhe për ndërtimin e një partneriteti afatgjatë që mbështet objektivat e zhvillimit dhe inovacionit të Shqipërisë dhe Katarit.
