Huaja e re e dhënë nga sektori bankar gjatë dhjetorit të vitit që lamë pas arriti në rreth 62.3 miliardë lekë, niveli më i lartë mujor i regjistruar jo vetëm gjatë vitit 2025, por edhe në një shtrirje më të gjerë kohore ndër vite. Krahasuar me dhjetorin e vitit 2024, huaja e re rezulton rreth 30% më e lartë, duke reflektuar një kërkesë më të fortë për financim dhe një ofertë më aktive nga bankat.
Në total, përgjatë gjithë vitit 2025, sektori bankar ka disbursuar rreth 436.6 miliardë lekë kredi të re, ose rreth 4.5 miliardë euro. Krahasuar me vitin 2024, kur huaja e re ishte 379.7 miliardë lekë, rritja vjetore për vitin 2025 llogaritet pranë 15%.
Nëse fokusi zhvendoset te sektori privat, panorama paraqitet po aq pozitive. Gjatë dhjetorit, huaja e re për bizneset arriti pranë 46 miliardë lekëve, niveli më i lartë mujor për vitin, dhe rreth 32% më shumë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024. Në total, bizneset përfituan rreth 296 miliardë lekë kredi të re gjatë gjithë vitit 2025, duke reflektuar rritje të investimeve, nevoja për kapital qarkullues dhe një aktivitet ekonomik më dinamik.
Edhe kreditimi për individët ka shfaqur një ecuri pozitive. Gjatë dhjetorit, huaja e re për këtë segment u ngjit në rreth 12.2 miliardë lekë. Kjo tregon se kërkesa për kredi konsumatore dhe financim familjar mbetet e fortë, veçanërisht në fundvit.
Një peshë të veçantë në kreditimin e individëve vijon të ketë financimi për blerje banese. Vetëm gjatë dhjetorit, huaja e re për këtë qëllim arriti rreth 5.5 miliardë lekë, si në lek ashtu edhe në valutë. Në total, gjatë gjithë vitit 2025, bankat kanë akorduar rreth 64.4 miliardë lekë kredi për blerje banese për individët, ose rreth 664 milionë euro. Ky nivel i lartë konfirmon vijimësinë e kërkesës për pasuri të paluajtshme dhe rolin kyç të sektorit bankar në financimin e tregut të banesave.
Në tërësi, shifrat e vitit 2025 tregojnë një cikël të zgjeruar kreditimi, të mbështetur si nga kërkesa e sektorit privat, ashtu edhe nga kushtet më të favorshme financiare, duke e pozicionuar huanë si një nga motorët kryesorë të rritjes ekonomike gjatë vitit që lamë pas. / ekofin.al
