Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, gjatë një konference me gazetarët, deklaroi se sfidat e vitit që sapo ka nisur janë të jashtëzakonshme, për shkak të pritshmërive të larta të qytetarëve dhe ambicieve të Qeverisë.
Gonxhja theksoi se, në zbatim të programit të Qeverisjes “Shqipëria 2030”, fokusi do të jetë rritja e ekosistemit të mikpritjes, promovimi i vendit dhe i identitetit kombëtar, mirëmenaxhimi i pasurive publike si bregdeti, plazhet dhe destinacionet turistike, mbrojtja e trashëgimisë kulturore, si dhe mbështetja e një kalendari spektakolar aktivitetesh që ndërthur traditën me modernen, natyrën me itineraret turistike.
“Rritja e imazhit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe shndërrimi i saj në një destinacion të vizitueshëm 365 ditë në vit është themeli i punës dhe përpjekjeve tona. Bashkimi i kulturës, rinisë dhe sportit flet qartë për sinergjinë organike dhe natyrshmërinë e këtyre sektorëve në misionin tonë”, u shpreh Gonxhja.
Ministri bëri të ditur se gjatë vitit 2025 Shqipëria u vizitua nga 12.47 milionë turistë, ose 6.6% më shumë krahasuar me vitin e mëparshëm. Ai theksoi se ka nisur puna për dixhitalizimin e shërbimeve administrative, si dhe për përmirësimin e kushteve në plazhet publike dhe mirëmbajtjen e stacioneve të plazhit.
Gonxhja nënvizoi se për rritjen e cilësisë në sektorin e turizmit, një prioritet i veçantë do të jetë licencimi i strukturave akomoduese, eliminimi i evazionit fiskal dhe monitorimi i flukseve turistike.
“Do të sjellim risinë e menaxhimit publik të plazheve nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, si një kategori e re krahas plazheve private. Reduktimi i beach bar-eve, ulja e ndotjes akustike dhe nxitja e sporteve dhe aktiviteteve verore janë gjithashtu përparësi. Strukturat akomoduese duhet të licencohen, të rriten standardet, certifikimi dhe transparenca, duke eliminuar evazionin dhe duke pasur një pasqyrë të qartë të flukseve turistike”, tha ai.
Ministri theksoi se hartimi dhe përditësimi i strategjive sektoriale, në koordinim të plotë mes tyre, janë garancia për një arkitekturë të qëndrueshme dhe afatgjatë zhvillimi. Sipas tij, sfida kryesore mbetet sigurimi i fondeve përtej tavaneve buxhetore, në mënyrë që Shqipëria të shumëfishojë investimet, të mbrojë thesaret e saj të rrezikuara dhe të maksimizojë vlerën e aseteve historike në funksion të zhvillimit të komuniteteve dhe ekonomisë së turizmit.
Gonxhja u shpreh se synohet shumëfishimi i mbështetjes për institucionet dhe skenën e pavarur artistike, mirëmbajtja e projekteve, investimet në infrastrukturë, përmirësimi i përvojës së vizitorëve, restaurimi i zonave dhe objekteve historike, promovimi i siteve dhe parqeve arkeologjike, si dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale.
Ai u ndal gjithashtu te dixhitalizimi i shërbimeve administrative përmes lëshimit online të licencave, certifikatave dhe lejeve, të nënshkruara dhe të vulosura me firmë elektronike, rritja e hapësirave të plazheve publike, mirëmenaxhimi i stacioneve të plazhit dhe garantimi i aksesit të përballueshëm për qytetarët, përmes menaxhimit publik nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, krahas atij privat.
Ministri u fokusua edhe te ndërkombëtarizimi dhe promovimi i ofertës turistike të Shqipërisë, duke theksuar rritjen e pranisë në tregjet ndërkombëtare përmes pjesëmarrjes së synuar në panairet kryesore të turizmit dhe forcimit të rrjetëzimit.
“Pozicionimi global i Shqipërisë dhe zgjerimi i tregjeve turistike do të realizohet përmes lobimit për lidhje të reja ajrore dhe promovimit të ofertës në tregje të largëta me potencial të lartë shpenzimi dhe qëndrimi, si SHBA dhe Kanada, Azia, Japonia, India, Australia, Lindja e Mesme, Izraeli, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari dhe Arabia Saudite, duke vënë theksin te kultura, natyra dhe përvojat autentike”, tha Gonxhja.
Ai shtoi se rritja e cilësisë së shërbimit turistik do të realizohet përmes zhvillimit të kapaciteteve njerëzore, me ngritjen e Akademisë Ndërkombëtare të Turizmit dhe Mikpritjes në bashkëpunim me UN Tourism, e cila do të ofrojë trajnime të vazhdueshme, certifikime sipas standardeve ndërkombëtare dhe përshtatje të kurrikulave universitare dhe profesionale me nevojat e tregut.
Në përfundim, Gonxhja njoftoi riorganizimin e Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, me synim monetizimin e shërbimeve, vetëfinancimin, angazhimin në evente, forcimin e masave administrative, aplikimin e tarifave të reja të personalizuara, si dhe zhvillimin e platformave digjitale dhe modernizimin e aplikacioneve (TEA 4.0).
