INSTAT publikoi më në fund, me disa ditë vonesë, të dhënat e vitit 2022 për sasinë e qumështit të grumbulluar, për vitin 2022. Rezulton se sasia gjithsej e qumështit të grumbulluar rezulton rreth 110 mijë tonë. Gjatë kësaj periudhe, sasia e qumështit të lopës të grumbulluar është rreth 87 mijë tonë, duke pësuar rënie me rreth 7,8%, krahasuar me 2021. Sasia e grumbulluar e qumështit të deles, në vitin 2022, është rreth 14 mijë tonë, duke shënuar rritje me rreth 9,7%, krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, sasia e grumbulluar e qumështit nga dhitë është rreth 9 mijë tonë, duke shënuar rritje me 18,7%, krahasuar me vitin 2021.
Nga sasia gjithsej e qumështit të grumbulluar, rreth 13 mijë tonë është përdorur për prodhimin e qumështit për konsum njerëzor, pjesa tjetër shkon për përpunim. Struktura e qumështit të prodhuar për konsum paraqitet si më poshtë: qumështi i plotë i përpunuar 85,8%, qumështi gjysëm i skremuar 10,6%, qumështi i papërpunuar 3,1% dhe qumështi i skremuar 0,5%, raporton INSTAT.
Nënproduktet e qumështit
Sasia e prodhuar e djathit gjithsej pësoi rënie me 3,8%. Ndërkohë, djathi i prodhuar nga qumështi i dhisë shënoi rritje me 17,1 %, djathi i prodhuar nga qumështi i deles shënoi rritje me 7,3 % ndërsa djathi i prodhuar nga qumështi i lopës pësoi rënie me 9,1%.
Më herët, INSTAT ka publikuar në muajin qershor të dhënat për numrin e gjedhëve dhe bagëtive, duke konfirmuar krizën në sektorin e blegtorisë, që ka sjellë reagimin e pritshëm zinxhir edhe në uljen e prodhimit të qumështit. Sipas shifrave, në vitin 2022 u prodhuan 970 mijë ton qumësht, me një rënie prej 4.2% krahasuar me një vit më parë. /ekofin.al

