Gjatë vitit 2025, siguria rrugore në Shqipëri ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm, me një rënie të konsiderueshme të numrit të aksidenteve rrugore krahasuar me një vit më parë. Sipas të dhënave zyrtare, në periudhën janar–dhjetor 2025 janë regjistruar gjithsej 1.375 aksidente rrugore, nga 1.666 aksidente në të njëjtën periudhë të vitit 2024, duke reflektuar një ulje vjetore prej 17,5%. Në të njëjtën linjë, edhe numri i personave të aksidentuar – të vrarë dhe të plagosur – ka pësuar rënie, nga 2.255 persona në 2024, në 1.913 persona në 2025.
Të dhënat tregojnë se aksidentet rrugore vijojnë të lidhen kryesisht me sjelljen e drejtuesve të mjeteve, të cilët përbëjnë pjesën dërrmuese të shkaqeve të aksidenteve gjatë vitit. Grupi-mosha 25–34 vjeç mbetet më problematiku, duke përfaqësuar edhe në 2025 peshën më të madhe të aksidenteve në rang vjetor, pavarësisht rënies së përgjithshme të treguesve. Rënie është evidentuar edhe në aksidentet e shkaktuara nga këmbësorët, si dhe në numrin e rasteve kur drejtuesit largohen nga vendi i ngjarjes, çka sinjalizon një përmirësim relativ të disiplinës rrugore.
Në nivel territorial, qarku i Tiranës vijon të ketë numrin më të lartë të aksidenteve edhe gjatë vitit 2025, por me një rënie të ndjeshme krahasuar me vitin 2024. Tendencë rënëse është konstatuar edhe në qarqe të tjera të mëdha si Durrësi, Vlora dhe Elbasani, duke kontribuar në uljen e përgjithshme kombëtare të aksidenteve dhe të personave të lënduar.
Në fokus të veçantë qëndron muaji dhjetor 2025, i cili konfirmon këtë prirje pozitive. Gjatë këtij muaji janë regjistruar 130 aksidente rrugore, nga 149 aksidente në dhjetor 2024, ose 12,8% më pak në terma vjetorë. Si pasojë e këtyre aksidenteve, janë aksidentuar gjithsej 176 persona, një numër më i ulët krahasuar me një vit më parë.
Analiza mujore tregon se aksidentet në dhjetor kanë ndodhur më shpesh ditën e premte, e cila përbën 20% të totalit, ndërsa dita me më pak aksidente rezulton e mërkura dhe e diela. Sa i përket orarit, harku kohor 14:00–17:00 mbetet më problematiku, duke përqendruar mbi një të pestën e aksidenteve të muajit, çka lidhet drejtpërdrejt me fluksin e lartë të qarkullimit gjatë orëve të pasdites.
Edhe në dhjetor, sjellja e drejtuesve të mjeteve mbetet shkaktari kryesor i aksidenteve, ndërsa grup-mosha 25–34 vjeç kryeson listën e drejtuesve të përfshirë në ngjarje rrugore. Megjithatë, krahasuar me dhjetorin e një viti më parë, vihet re një rënie e dukshme e aksidenteve në pothuajse të gjitha grup-moshat, përfshirë edhe drejtuesit mbi 60 vjeç.
Në tërësi, të dhënat e vitit 2025 dhe veçanërisht të muajit dhjetor tregojnë një përmirësim të qëndrueshëm të sigurisë rrugore, ndonëse aksidentet vijojnë të mbeten një problem serioz, i lidhur kryesisht me faktorë njerëzorë. Rënia e numrit të aksidenteve dhe e personave të aksidentuar sugjeron se masat parandaluese, kontrollet dhe ndërgjegjësimi kanë dhënë efekt, por sfida mbetet ende e pranishme, veçanërisht për grup-moshat aktive dhe oraret me fluks të lartë qarkullimi.

