Normat e interesit të bonove 12-mujore të thesarit shënuan një rritje të lehtë në ankandin e fundit, gjë që ndodh për herë të parë, pas rënieve të vazhdueshme, të nisura që nga muaji mars. Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar u rrit në 3.14%, ndërkohë që në ankandin e fundit të zhvilluar në javën e parë të këtij muaji ishte 3.09%. Rritja është e lehtë, por mund të sinjalizojë rikthimin e rritjes së normave të interesit të letrave me vlerë të Qeverisë.
Nga 7.2 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, vlera totale e kërkesave të paraqitura në ankand rezultoi disi më e lartë, në 7.32 miliardë lekë. Në fund, Ministria vendosi të pranojë një shumë më të ulët se ajo që kishte shpallur, në vlerën e 6.92 miliardë lekëve, me shumë mundësi për shkak të rritjes së normave të interesit.
Pas rritjes së shpejtë të normave, në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, edhe për shkak të ndërhyrjeve të bëra nga Banka Qendore me normën bazë të interesit, në 6 muajt e parë të vitit ka patur një rënie të vazhdueshme dhe deri diku edhe të papritur të normave të interesit. Yield-et e bonove 12-mujore zbritën deri në nivelin 3.09%, në nivelin më të ulët në 11 muaj dhe për herë të parë shumë pranë normës bazë të interesit, të caktuar nga Banka e Shqipërisë. /ekofin.al
