9.000 kërkime mujore në YouTube.com konsumojnë 10 litra ujë, mjaftueshëm që një majmun kapuçin të mbijetojë për 77 ditë.
Interneti është përgjegjës për rreth 3,7% të emetimeve globale të karbonit, duke tejkaluar transportin ajror. Nëse interneti do të ishte një shtet, ai do të ishte ndotësi i katërt më i madh në botë.
Pikërisht për këtë arsye, shkencëtarët kanë krijuar një mjet inovativ për të hedhur dritë mbi mënyrën se si aktiviteti ynë online ndikon në natyrë.
I zhvilluar nga ekspertë të klimës në Universitetin e Exeter-it, në partneritet me Madeby.studio, Digital Impact for Species është në gjendje të analizojë çdo faqe interneti dhe të zbulojë kostot e saj të fshehura mjedisore, përtej treguesve standardë të emetimeve të CO₂, konsumit të ujit dhe energjisë.
“Kur vizitojmë një faqe interneti, rrallë mendojmë për ndikimin mjedisor,” thotë drejtuesi i projektit, Dr. Marcos Oliveira Jr, nga ekipi i ndikimit të natyrës dhe klimës në Universitetin e Exeter-it. “Por kostoja është e lartë – nga energjia e konsumuar teksa informacioni udhëton nga qendra e të dhënave drejt kompjuterit apo telefonit tuaj, deri te uji i përdorur për ftohjen e serverëve.”
A po e dëmtojnë faqet e internetit planetin?
Për të llogaritur ndikimin e çdo faqeje që vizitoni, mjafton të ngjisni adresën (URL) në shiritin e kërkimit të mjetit. Ai më pas jep një vlerësim të përgjithshëm nga A+ deri në F, si dhe tregon se sa po ndikon kërkimi në natyrë.
Për shembull, YouTube.com – që përpunon miliarda kërkime çdo muaj – vlerësohet me notën C, çka do të thotë se ka hapësirë për përmirësime në ndikimin mjedisor. Çdo shikim faqeje në këtë platformë gjeneron 0,249 gram CO₂, konsumon 0,0011 litra ujë dhe 0,62 Wh energji.
Për çdo 9.000 vizita mujore nevojiten 10 litra ujë – sasi e mjaftueshme që një majmun kapuçin të mbijetojë për 77 ditë. Bazuar në këtë numër vizitash, natyra do të kishte nevojë për një pemë të pyllit të Amazonës që të punojë për 41 ditë për të përthithur nivelet e CO₂ të prodhuara.
Po ashtu, 9.000 vizita mujore konsumojnë 6 kWh energji, e barabartë me energjinë ditore të përdorur nga 1.000 kolibri “Anna” për 332 ditë.
“Kjo nuk ka të bëjë me stigmatizimin e faqeve me gjurmë të lartë mjedisore, por me angazhimin e njerëzve dhe nxitjen e debatit se si mund të ndërtojmë një internet më të qëndrueshëm,” shton Dr. Oliveira Jr.
Si llogaritet gjurma mjedisore e një faqeje?
Mjeti përdor Google PageSpeed Insights për të matur saktësisht madhësinë e të gjitha burimeve që ngarkohen kur hapet një faqe interneti. Nëse PageSpeed nuk është i disponueshëm, përdoret mesatarja e industrisë për peshën e faqeve.
Kjo përfshin madhësinë totale të të gjithë skedarëve të ngarkuar gjatë vizitës në një faqe, si imazhe, tekst dhe video. Faqet më të mëdha kërkojnë më shumë energji për t’u transmetuar dhe përpunuar, duke sjellë emetime më të larta.
Më pas, mjeti përdor të dhëna nga Green Web Foundation për të përcaktuar nëse faqja është e hostuar në serverë që furnizohen me energji të rinovueshme apo me lëndë djegëse fosile.
Duke përdorur Modelin e Dizajnit të Qëndrueshëm të Uebit, llogariten emetimet e CO₂, përdorimi i energjisë dhe konsumi i ujit për çdo shikim faqeje.
Këta tregues më pas përkthehen në “krahasime të kuptueshme me natyrën”, duke përdorur një bazë të dhënash me informacion shkencor mbi specie të ndryshme.
Si mund ta ulim gjurmën mjedisore të faqeve të internetit?
Konsumatorët mund ta ulin ndjeshëm gjurmën e tyre kryesisht duke kërkuar më pak, duke ia kaluar përgjegjësinë kryesore hostëve të faqeve.
Sipas studiuesve, përdorimi i më pak imazheve, kufizimi i fonteve, thjeshtimi i navigimit dhe shmangia e videove kur është e mundur janë mënyra të shpejta për të reduktuar ndikimin mjedisor të internetit.
Zgjedhja e një hosti “të gjelbër”, që përdor energji të rinovueshme në vend të lëndëve djegëse fosile, ndihmon gjithashtu, ashtu si edhe heqja e kodit të panevojshëm dhe ndjekja e udhëzimeve të optimizimit për motorët e kërkimit (SEO), në mënyrë që përdoruesit të gjejnë më shpejt faqet e duhura./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
