Sektori i ndërtimit ka rol të rëndësishëm në ekonomi dhe në të ardhurat buxhetore, por informaliteti vijon të kufizojë arkëtimin e plotë të potencialit tatimor. Për këtë arsye, në kuadër të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave 2024–2027, Drejtoria e Menaxhimit të Riskut ka hartuar një plan risk-based që forcon administrimin e TVSH-së dhe tatimeve përgjatë gjithë ciklit të projekteve ndërtimore.
Sipas Tatimeve, analizat e DMR-së evidentojnë si rreziqe kryesore mosdeklarimin e plotë të xhiros dhe sipërfaqeve ndërtimore, deklarimin e çmimeve të shitjes nën çmimet e tregut ose referencës, si dhe shitjet “cash” pa lëshim fature, veçanërisht në fazat e para të projekteve përmes kaparëve dhe parapagimeve informale. Një problematikë e theksuar mbetet nëndeklarimi i kostove të punës, numri i ulët i punonjësve të deklaruar dhe pagat shumë më të ulëta se mesatarja e tregut, krahas përdorimit të punëtorëve të përkohshëm ose të padeklaruar.
Risk i rëndësishëm paraqitet edhe përdorimi i furnitorëve fiktivë dhe faturave të rreme për fryrje artificiale të kostove, si dhe mospërputhjet midis lejeve të ndërtimit dhe deklarimeve tatimore, ku sipërfaqet e deklaruara rezultojnë më të vogla se ato të miratuara ose të regjistruara. Sektori identifikohet gjithashtu si me risk për pastrim parash, për shkak të volumit të lartë të transaksioneve “cash” dhe vështirësisë në përcaktimin e kostos reale.
Deklarimi i të ardhurave dhe arkëtimet paraprake
Plani vë theksin te deklarimi korrekt i të ardhurave nga arkëtimet sipas kontratave dhe marrëveshjeve të realizuara para shitjes përfundimtare. Konstatohen raste të moslëshimit të faturës tatimore për shitjen e pasurive të paluajtshme dhe për arkëtimet paradhënie, duke krijuar risk të lartë për mosdeklarim të të ardhurave reale.
Kontrolli i TVSH-së dhe tatimeve të tjera
Sipas dokumentit, kontrolli i TVSH-së në ndërtim do të bazohet në krahasimin e situacioneve mujore me faturimin e deklaruar, librat e shitjeve dhe blerjeve dhe të dhënat e fiskalizimit. Do të analizohet niveli i TVSH-së së zbritur nga blerjet e materialeve dhe shërbimeve në raport me vëllimin e punimeve dhe sipërfaqen e lejuar në lejet e ndërtimit. Deklaratat periodike krahasohen me të dhënat nga institucionet e tjera për të evidentuar mospërputhje dhe ulje artificiale të bazës së TVSH-së.
Ndërkohë, tjetër aspekt, lidhet me tatimin i mbajtur në burim, i cili paraqet risk në rastet e pagesave ndaj jorezidentëve për projektim, supervizim dhe konsulencë, si dhe për qiratë dhe shërbimet profesionale, ku konstatohet mosmbajtje ose aplikim i gabuar i detyrimeve tatimore.
Tatimi mbi fitimin dhe manipulimi i kostove
Tatimet theksojnë se shoqëritë e ndërtimit paraqesin risk për manipulim të fitimit të tatueshëm përmes fryrjes së kostove, klasifikimit të shpenzimeve jo të lidhura me aktivitetin dhe shtyrjes së njohjes së të ardhurave në projekte shumëvjeçare. DMR do të analizojë mospërputhjet midis ciklit real të projektit dhe deklarimeve tatimore, si dhe rastet e rezervave të fshehura dhe pasurive të padeklaruara, theksohet në Planin e Tatimeve.
Tatimet gjithashtu do të ndjekin qasjen “risk-based” për të gjithë zinxhirin e furnizimit në ndërtim që përfshin zhvilluesin, kontraktorin kryesor, nënkontraktorët, furnitorët dhe shërbimet mbështetëse. Kjo qasje konsiston në gjurmimin e këtij zinxhiri përmes fiskalizimit dhe analizës së lidhjeve B2B, për të identifikuar subjekte fiktive, zinxhirë artificialë kostosh dhe mungesë faturimi në faza kritike. Krahasimi me tregues fizikë, si sipërfaqja e lejuar, volumi i materialeve, numri i punonjësve dhe afatet e projektit, do të përdoret për të ndërtuar profile risku dhe për të orientuar kontrollin tatimor, përfundon dokumenti./ekofin.al
