Banka e Shqipërisë ka publikuar llogaritjet e reja të Normës Efektive të Interesit (NEI) maksimal për kreditë konsumatore, të cilat do të jenë të vlefshme për 6-mujorin e parë të vitit 2026. Kufijtë e rinj janë përcaktuar në zbatim të rregullores nr. 48, datë 01.07.2015 “Për kredinë konsumatore dhe hipotekore”, e ndryshuar dhe hyjnë në fuqi më 19 janar 2026.
Të dhënat e përditësuara tregojnë se ndryshimi më i dukshëm krahasuar me 6-mujorin e dytë të vitit 2025 lidhet me kreditë konsumatore të vogla, në fashën 0–200 mijë lekë. Për këtë kategori, NEI maksimal për kreditë me këste është ulur ndjeshëm në 54.80%, nga 62.% që ishte në periudhën korrik–dhjetor 2025. Ndërsa për kartat e kreditit në lekë në të njëjtën fashë, kufiri maksimal i NEI-së pëson një rënie të lehtë, duke zbritur në 26.68%, kurse për overdraft-in niveli mbetet pothuajse i pandryshuar në 18.27%.
Për fashën 200.001–600.000 lekë, ndryshimet janë minimale. NEI maksimal për kreditë me këste është vendosur në 35.43%, shumë pranë nivelit të mëparshëm, ndërsa për overdraft-in kufiri maksimal rritet lehtë në 18.50%, duke reflektuar një stabilitet të përgjithshëm të kostos së këtij produkti financiar. E njëjta prirje stabiliteti vihet re edhe për kreditë me këste në intervalin 600.001–2 milionë lekë, ku NEI maksimal është 14.71%, si dhe për kreditë nga 2 deri në 10 milionë lekë, ku norma maksimale është 11.94%.
Në segmentin në euro, për kartat e kreditit deri në 200 mijë lekë ekuivalent, NEI maksimal për 6-mujorin e parë 2026 është përcaktuar në 22.55%, nivel që mbetet në të njëjtën linjë me periudhën e mëparshme dhe nuk shfaq luhatje të ndjeshme.
Krahasimi me normat efektive të interesit të aplikuara në 6-mujorin e dytë të vitit 2025 nxjerr në pah një mesazh të qartë: ulja e ndjeshme e NEI-së është përqendruar pothuajse ekskluzivisht te kreditë konsumatore të vogla. Në këtë segment që vitin e kaluar nisi të japë impakt ndryshimi rregullator i ndërmarrë nga BSH, që tashmë nxjerr një mesatare të thjeshtë të ponderuar të interesave të tregut, pa shumëzimin me 1/3 që ishte si formulë deri në vitin 2025.
Sipas vlerësimeve, kjo mënyrë përllogaritjeje do të sjellë rënie të mëtejshme të NEI-t në këtë segment edhe për periudhat në vazhdim. Ndërkohë, për kreditë me vlera më të larta dhe për produktet si overdraft-et dhe kartat e kreditit, ndryshimet janë margjinale, duke sinjalizuar një stabilitet të përgjithshëm të kushteve të kreditimit.
Ky zhvillim sugjeron një lehtësim relativ të barrës së interesit për huamarrësit me kredi të vogla konsumatore në gjysmën e parë të vitit 2026, ndërsa për pjesën tjetër të tregut, politikat e kreditimit dhe kostot mbeten kryesisht të pandryshuara. Për konsumatorët, kjo do të thotë se përfitimet më të prekshme nga kufijtë e rinj të NEI-së do të ndihen kryesisht te kreditë e vogla, ndërsa vendimmarrja për kredi më të mëdha do të vijojë të ndikohet nga faktorë të tjerë si afati, profili i riskut dhe kushtet individuale të bankave. /ekofin.al
