Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat miratoi nen për nen projektligjin që i hap rrugën kultivimit për qëllime mjekësore dhe industriale të cannabis-it.
Komisioni votoi pro edhe propozimit të deputetit Erion Braçe për kufizimin e sipërfaqes së kultivimit të cannabis-it për qëllime industriale, njëlloj si për cannabis-n për qëllime mjekësore.
“Te rasti i kultivimit të cannabis-it për qëllime mjekësore është vendosur një kufi 200 ha. Në rastet për qëllime industriale nuk janë vendosur kufij. Propozoj vendosjen në ligj të sipërfaqes maksimale të lejuar për kultivimin e cannabis-it për qëllime mjekësore të jetë po 200 ha”, tha Braçe.
Zëvendësministrja për Shëndetësinë dhe Mbrojtjen Sociale, Entela Ramosaçaj shpjegoi se prodhimi i cannabis-it për qëllime mjekësore ka karakteristika të ndryshme nga ai industrial.
“Për pjesën mjekësore kemi vendosur që një njësi prodhuese të mos jetë më e vogël se 5 ha dhe jo më e madhe se 10 ha. Një prodhues nuk mund të pajiset me më shume se 4 licenca, pra maksimumi 200 ha”, deklaroi ajo.
Ndërsa drejtori juridik pranë ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Alban Mësonjësi deklaroi se në projektligjin e sjellë në Komision nuk ka një kufi në sipërfaqen e kultivimit të cannabis-it për qëllime industriale, si në rastin për qëllime mjekësore, por shtoi se me anë të vendimeve të Këshillit të Ministrave do të përcaktohen zonat kadastrale në të cilat do të lejohet kultivimi i cannabis-it për qëllime industriale.
“Ndaj në mënyrë indirekte do të ketë kufizim në territor dhe në sipërfaqe”, tha ai.
