Dy ditë pas marrjes së detyrës, Ministri i Brendshëm Taulant Balla mblodhi drejtuesit e Ministrisë dhe strukturave të varësisë për të komunikuar prioritetet e detyrës së tij.
Ministri Balla tha se në fokus të punës së tij, do jetë mbështetja për punonjësit e policisë, si në aspektin financiar, ashtu dhe në strehim për të gjithë ata që shërbejnë larg familjes.
“Unë do të kujdesem posaçërisht për rritjen e standardit të jetesës të punonjësve të policisë dhe përmirësimin e kushteve të shërbimit të çdo punonjësi policie, që nga kushtet financiare deri tek kushtet e strehimit kur shërbejnë jashtë vendbanimit apo krijojnë familje të reja, pa harruar që nga sot sistemimin përfundimtar të të gjitha familjeve të policëve të vrarë në krye të detyrës, fëmijët e të cilëve janë fëmijët tanë. Prandaj nga nesër do të fillojmë të trajtojmë problemin e banimit për ata që shërbejnë në qytete të ndryshme nga qyteti ku kanë familjen dhe do të hapim rrugën e aplikimeve për 100 banesat e para për vitin 2023, të cilat do t`u jepen familjeve të reja të punonjësve të policisë. Kriteret do të përcaktohen në ditët në vijim dhe do të publikohet në bashkëpunim me Ministrinë e Financave”, tha Balla.
