Qeveria ka miratuar krijimin e një shoqërie aksionare 100% shtetërore për ofrimin e shërbimeve të integruara të sterilizimit në sistemin publik shëndetësor, në një moment kur koncesioni ekzistues i sterilizimit vijon të jetë nën hetim penal nga SPAK dhe kur ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, ndodhet mes personave nën akuzë. Vendimi i Këshillit të Ministrave i marrë në fund të vitit të kaluar, datë 30 dhjetor 2025, që parashikon krijimin e shoqërisë aksionare “Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit” (OSHIS sh.a.), me kapital fillestar 200 milionë lekë, të financuar nga buxheti i vitit 2026 i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, është zbardhur sot pa shumë zhurmë në Fletoren Zyrtare.
Sipas vendimit, OSHIS sh.a. do të ofrojë kundrejt pagesës një gamë të gjerë shërbimesh që mbulojnë të gjithë ciklin e sterilizimit në sallat kirurgjikale, duke përfshirë furnizimin me sete të personalizuara instrumentesh sterile, materiale mjekësore njëpërdorimëshe, veshje sterile salle, si dhe menaxhimin e mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e ambienteve. Shoqëria do të administrojë gjithashtu Stacionin Qendror të Sterilizimit në QSUT, do të menaxhojë ciklet e ripërpunimit dhe sterilizimit të instrumenteve të ripërdorshme, do të aplikojë teknologji të sterilizimit me avull dhe temperatura të ulëta, si dhe do të digjitalizojë ndjekjen dhe raportimin e të gjithë procesit.
Modeli i ri parashikon që shërbimet të ofrohen për të gjitha spitalet publike universitare, rajonale dhe bashkiake në vend, ndërsa statuti i shoqërisë do t’i lejojë OSHIS sh.a. të ofrojë edhe shërbime shtesë për subjekte publike apo private, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Të gjitha tarifat e shërbimeve do të arkëtohen nga vetë shoqëria, e cila do të financohet nga të ardhurat e gjeneruara, duke ruajtur karakterin e shërbimit publik dhe duke i përdorur fondet vetëm për ushtrimin dhe zhvillimin e veprimtarisë.
Një element kyç i vendimit lidhet me kalimin pa pagesë te OSHIS sh.a. të aseteve dhe të drejtave që i rikthehen shtetit pas përfundimit të kontratës së koncesionit të sterilizimit, të nënshkruar në vitin 2015. Pikërisht kjo kontratë është aktualisht në qendër të hetimeve të SPAK-ut, ku po shqyrtohet ligjshmëria e procedurave të dhënies, zbatimit dhe kostos së saj për buxhetin e shtetit, si dhe përgjegjësitë penale të zyrtarëve të përfshirë në proces.
Krijimi i një operatori shtetëror për sterilizimin shihet si një ndryshim i modelit të ofrimit të këtij shërbimi kritik në shëndetësinë publike, duke kaluar nga një skemë koncesionare e debatuar drejt një strukture tërësisht në pronësi të shtetit. Nga ana tjetër, vendimi vjen në një kontekst të ndjeshëm politik dhe institucional, ku hetimet penale ndaj koncesionit të sterilizimit kanë rritur vëmendjen publike mbi kostot, transparencën dhe efektivitetin e këtij shërbimi për pacientët dhe spitalet publike.
Sipas parashikimeve, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka afat 30 ditë nga hyrja në fuqi e vendimit për të miratuar statutin dhe për të regjistruar shoqërinë në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ndërsa injektimi i kapitalit fillestar prej 200 milionë lekësh do të kryhet menjëherë pas regjistrimit. Nëse dhe si ky model i ri shtetëror do të arrijë të adresojë problematikat që kanë shoqëruar koncesionin e sterilizimit mbetet për t’u parë, ndërkohë që procesi penal ndaj kontratës ekzistuese vijon të hedhë hije mbi një nga shërbimet më të rëndësishme mbështetëse të sistemit shëndetësor publik. /ekofin.al
