Bashkëpronësia në ndërtesa do të rregullohet me një ligj të ri që do të garantojë pronën private, bashkëpronësinë, si dhe sigurinë e ndërtesave në vetvete. Ligji gjithashtu mbart detyrime për bashkëpronarët dhe përcakton standardet e administrimit të ndërtesave, si dhe detyrimin për regjistrimin e aktit të bashkëpronësisë.
Ministri i shtetit dhe Pushtetit Vendor ka nxjerrë për konsultim projekligjin “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesa”, i cili sipas relacionit, shfuqizon ligjin e vitit 2009 për administrimin e bashkëpronësisë. Parimet mbi të cilat është bazuar rishikimi i ligjit përveç parimeve të Kodit Civil, kanë qenë midis të tjerash edhe mbrojtja mjedisore, si dhe efektiviteti ekonomik.
Regjistrimi i aktit të bashkëpronësisë për të gjitha ndërtesat bëhet në zyrën e kadastrës, nën juridiksionin e së cilës ndodhet ndërtesa dhe në emër të bashkëpronarëve të saj. Në kohën kur regjistrohet ndërtesa, çdo njësi individuale, së bashku me kuotën e pjesëmarrjes në bashkëpronësi, regjistrohen më vete dhe përbëjnë një pjesë të veçantë pasurie të paluajtshme.
Përgatitja e aktit të bashkëpronësisë bëhet nga subjekte të licencuara me shpenzimet e bashkëpronarëve. Bashkia mund t’i mbështesin bashkëpronarët me të ardhura të pakta që përfitojnë ndihmë ekonomike sipas ligjit, nëpërmjet skemave mbështetëse me financime ose duke vënë në dispozicion personel teknik që i ndihmon në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga administrimi i objekteve në bashkëpronësi.
Bashkëpronarët përgjigjen financiarisht për bashkëadministrimin, përfshirë edhe pronarët e njësive që nuk përdoren, përveç kur vendoset ndryshe nga asambleja e bashkëpronarëve. Në rast se për riparimin e objekteve në bashkëpronësi është e nevojshme të ndërhyhet në njësinë që nuk përdoret, pronari i njësisë njoftohet 10 ditë përpara, në mënyrë që ta hapë njësinë vetë ose me personin e autorizuar prej tij. Nëse ndërhyrja është urgjente, bëhet me procesverbal hapja e njësisë, në prani të kryesisë dhe të inspektorit vendor.
Të gjitha ndërtesat do të duhet t’u nënshtrohen standardeve të administrimit për t’u respektuar nga bashkëpronësia që kanë të bëjnë me ruajtjen e higjienës, mbrojtjen kundër zjarrit, vendosjen dhe mirëmbajtjen e ashensorëve etj. Afatet për zbatimin e standardeve të administrimit realizohen nga asambleja e bashkëpronarëve: brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji për ndërtesat e ndodhura në qytetet me mbi 10.000 banorë; brenda 16 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji për ndërtesat e ndodhura në komplekse; brenda 24 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji për të gjithë ndërtesat e tjera.
Afati tranzitor për deklarimin e të dhënave të aktit të bashkëpronësisë është brenda 31 dhjetorit 2026 për ndërtesat e regjistruara dhe që janë pajisur me aktin e bashkëpronësisë ndërsa brenda 31 dhjetorit 2027 për ndërtesat e regjistruara në ASHK por që nuk janë pajisur me aktin e bashkëpronësisë. Po kështu edhe të gjitha ndërtesat që janë në proces regjistrimi ASHK në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, shoqëria ndërtuese (sipërmarrësi) kryen përditësimin dhe saktësimin e të dhënave me qëllim që akti i bashkëpronësisë të lëshohet sipas ligji.
Si do të kryhet kreditimi për bashkëpronësitë?
Asambleja e bashkëpronarëve, kundrejt një projekti për restaurimin, rikonstruksionin, për ndërtimet shtesë apo përshtatjet e hyrjeve, të ashensorëve dhe mjediseve rrethuese, riparimin e tarracës etj., ka të drejtë të marrë kredi nga bankat kundrejt hipotekimit të aktit të bashkëpronësisë në zyrën e kadastrës, në favor të kredituesit, nëse pronarët e njësive, që përbëjnë 90 për qind të kuotave të pjesëmarrjes në bashkëpronësi, votojnë pro hipotekimit të aktit të bashkëpronësisë. Rregullat do të miratohen nga Këshilli i Ministrave.
Pronari i njësisë mund të bëjë çdo lloj përmirësimi ose ndryshimi në njësinë individuale që nuk cenon qëndrueshmërinë e ndërtesës dhe integritetin struktural, rrjetin inxhinierik dhe njësitë e tjera individuale, por për ndryshimin e pamjes së jashtme, duke përfshirë këtu arkitekturën si fasadën, veshjet, kornizat, dyert, hyrjet, tjegullat, oxhaqet, dritaret, grilat, ngjyrën, stilin, vetëm pasi ka marrë më parë miratimin me shkrim të shumicës të thjeshtë të votave nga asambleja, si dhe në përputhje me legjislacionin për planifikimin e territorit.
Libri i bashkëpronësisë për të gjitha ndërtesat brenda territorit të bashkisë krijohet dhe administrohet nga bashkia. /ekofin.al

