Iute Group njofton hyrjen në tregun e Ukrainës, por do ta bëjë këtë ndryshe nga vendet e tjera ku operon, duke krijuar aty direkt një bankë digjitale.
Vendimi i Iute Group për të hyrë në tregun bankar të Ukrainës përmes ndërtimit nga e para të një banke plotësisht digjitale, nën një licencë të plotë bankare, nuk përfaqëson thjesht një zgjerim gjeografik. Ai është një sinjal i qartë i strategjisë së grupit për t’u transformuar gradualisht nga një ofrues financiar alternativ në një grup bankar digjital pan-evropian, me të njëjtin model operimi në të gjitha vendet ku është i pranishëm – përfshirë edhe Shqipërinë.
Në Ukrainë, Iute po ndjek një qasje të pazakontë për tregun rajonal: ndërtimin e një banke të re digjitale, Iute Bank, mbi bazën e një licence ekzistuese bankare, përmes marrjes së aseteve dhe detyrimeve të përzgjedhura të RWS Bank, një bankë me mbi 30 vite histori dhe ish-pronësi të Swedbank. Transaksioni, që përfshin transferimin e rreth 20 mijë klientëve, pritet të përfundojë pas miratimit përfundimtar nga Banka Kombëtare e Ukrainës dhe shënon hyrjen e Iute në një nga tregjet më të digjitalizuara financiarisht në Evropë.
Sipas drejtuesve të grupit, ky model – bankë e ndërtuar nga e para, me bilanc fillestar të kontrolluar, fokus në teknologji dhe produkte bazë digjitale – është themeli mbi të cilin Iute synon të zhvillohet si grup. Qëllimi nuk është thjesht të ofrojë krediapo produkte financiare të veçuara, por të ndërtojë banka digjitale për jetën e përditshme financiare të individëve dhe bizneseve, të afta të operojnë me efikasitet të lartë dhe kosto të ulëta.
Tarmo Sild, CEO i Iute Group, tha se hapi është pjesë e strategjisë së Iute për të ndërtuar një bankë dixhitale për jetën e përditshme financiare, ndërsa zgjerimi gjeografik është pjesë e evolucionit.
“Ne e shohim Ukrainën si një mundësi të madhe rritjeje për Iute dhe për Evropën, pasi lufta e ka kthyer vendin në tregun financiar më dixhital me popullsinë e gjashtë më të madhe në Evropë dhe me ndryshime në mentalitetin kombëtar. Lufta sjell shumë ndryshime. Unë e shoh Ukrainën në ballë të rritjes brenda 5 viteve nga tani, falë trimërisë së atij kombi”, deklaroi ai.
“Përfundimi i transaksionit do të shtojë Ukrainën në tregjet tona dhe bankën e parë plotësisht digjitale në grupin tonë qëmban emrin tonë dhe që nuk ndikohet nga e kaluara. Iute Bank është ndërtuar nga e para – ne blejmë një entitet kalimtar që ka licencën bankare, asete të përzgjedhura me kujdes dhe detyrimet përkatëse të depozitave të RWS Bank,” shpjegoi Sild. Sipas CEO-s, kjo qasje do të sjellë që bilanci fillestar i bankës do jetë i vogël me një vlerë nën 10 milionë euro.
Iute Bank do të udhëhiqet nga Arthur Muravitsky, një drejtues ekzekutiv bankar ukrainas me përvojë më shumë se 22 vjeçare në sektorin financiar. Sipas Muravitsky, fokusi është në ndërtimin e një banke plotësisht dixhitale që nga dita e parë. Hapat e ardhshëm përfshijnë kapitalizimin e bankës, futjen në bord të ekipit bazë dhe respektimin e Bankës Kombëtare të Ukrainës për të filluar operacionet e përditshme. “Që nga fillimi, ky proces është mbështetur nga Fondi i Garancisë së Depozitave dhe Banka Kombëtare e Ukrainës, bashkëpunimi i të cilave ka qenë thelbësor për të çuar përpara projektin”, komentoi Muravitsky.
Vizioni i Iute nuk do të kufizohet në Ukrainë. Përkundrazi, hyrja në një treg kompleks dhe me rrezik të lartë konsiderohet nga vetë grupi si një provë e maturisë së modelit të tij të biznesit. Strategjia e zgjerimit të Iute parashikon që në çdo vend ku grupi operon – përfshirë Shqipërinë – transformimi të shkojë përtej shërbimeve financiare jo-bankare, drejt ndërtimit të bankave digjitale të licencuara, të mbikëqyrura nga autoritetet rregullatore kombëtare.
Në këtë kontekst, Shqipëria shihet si një treg me potencial të konsiderueshëm për zhvillimin e bankingut digjital. Me një popullsi të re, përdorim në rritje të shërbimeve online dhe një kuadër rregullator që po përafrohet gradualisht me standardet evropiane, ndërtimi i një banke digjitale përfaqëson hapin logjik të radhës për evolucionin e Iute në vend. Grupi tashmë ka një prani të konsoliduar në tregun shqiptar të shërbimeve financiare dhe hapi i hedhur në Ukrainë mund të pasohet shpejt nga aplikimi për licencën e një banke digjitale nëShqipëri, që do të ishte e dyta pas asaj të Jet Bank.
Qasja e Iute karakterizohet nga disiplinë e fortë financiare dhe menaxhim i kujdesshëm i rrezikut. Edhe në Ukrainë, grupi ka vendosur kufij të qartë për investimin maksimal, si dhe pritshmëri të kontrolluara për humbjet në fazën fillestare. I njëjti parim pritet të ndiqet edhe në tregje të tjera, përfshirë Shqipërinë, ku ndërtimi i një banke digjitale do të realizohej në mënyrë graduale, të kushtëzuar nga performanca financiare, miratimet rregullatore dhe maturimi i tregut.
Në një mjedis financiar evropian që po lëviz me shpejtësi drejt digjitalizimit të plotë, strategjia e Iute synon të pozicionojë grupin si një aktor të ri bankar, të ndërtuar mbi teknologji dhe jo mbi trashëgimi strukturore. Ukraina është hapi më i fundit në këtë rrugë, por jo i fundit. Për Shqipërinë, ky zhvillim përforcon sinjalin se tregu vendas është pjesë e vizionit afatgjatë të grupit për t’u shndërruar në një bankë digjitale rajonale, me standarde evropiane dhe operim të unifikuar në të gjitha shtetet ku është i pranishëm. /ekofin.al
