Kioskat u lejojnë përdoruesve të dërgojnë para cash në një portofol digjital kudo në botë. Byroja Federale e Hetimit (FBI) tha se mashtruesit, gjatë vitit 2025, u kanë marrë amerikanëve më shumë se 333 milionë dollarë përmes skemave të realizuara duke përdorur bankomatë bitcoin, një rritje e ndjeshme krahasuar me vitet e mëparshme, ndërsa popullariteti i kriptomonedhave vazhdon të rritet.
Statistikat e reja të FBI-së, që dokumentojnë transaksione mashtruese përmes kioskave të kriptomonedhave, pasqyrojnë një “rritje të qartë dhe të vazhdueshme” që “nuk po ngadalësohet”, tha një zëdhënës i byrosë për ABC News. Në vitin 2024, mashtruesit shkaktuan rreth 250 milionë dollarë humbje, më shumë se dyfishin e shifrës së vitit paraardhës. Nga janari deri në nëntor 2025, shuma arriti 333.5 milionë dollarë, sipas FBI-së.
Në mbarë vendin ka më shumë se 45 mijë bankomate bitcoin, të cilat u lejojnë përdoruesve të fusin para cash dhe t’i dërgojnë ato në një portofol digjital kudo në botë. Procesi zgjat vetëm disa minuta dhe, pasi transaksioni kryhet, thonë ekspertët, paratë janë pothuajse të pamundura për t’u rikuperuar – gjë që e bën këtë metodë veçanërisht tërheqëse për mashtruesit e mundshëm.
“Kërkesa për kripto tani është metoda e preferuar nr. 1 e kriminelëve,” tha në tetor për ABC News Amy Nofziger, drejtoreshë e mbështetjes për viktimat e mashtrimit në AARP. “Është një problem shumë i madh.”
Autoritetet e kanë vënë re këtë fenomen. Në shtator, zyra e prokurorit të përgjithshëm të Uashingtonit, D.C., paditi Athena Bitcoin, një nga operatorët më të mëdhenj të bankomatëve bitcoin në vend, duke e akuzuar se ka “futur në xhep qindra mijëra dollarë tarifa të pazbuluara në kurriz të viktimave të mashtrimit.” Padia pretendon se 93% e transaksioneve në pajisjet e Athena-s në distrikt “janë produkt i mashtrimit të hapur” dhe se “mosha mesatare e viktimave ishte 71 vjeç.”
Athena i mohoi fuqishëm këto akuza në një deklaratë për ABC News, duke theksuar se mban “masa të forta mbrojtëse kundër mashtrimit, përfshirë udhëzime transparente, paralajmërime të dukshme dhe edukim të konsumatorëve.” “Ashtu si një bankë nuk mbahet përgjegjëse nëse dikush dërgon me dëshirë fonde te një person tjetër, Athena nuk kontrollon vendimet e përdoruesve,” thuhet në deklaratë.
AARP ka bërë thirrje për rregullore më të rrepta për të mbrojtur amerikanët nga mashtrimet përmes bankomatëve bitcoin, si vendosja e një kufiri për shumën që një përdorues mund të depozitojë brenda një dite. Të paktën 17 shtete kanë miratuar legjislacion vitet e fundit për rregullimin e këtyre makinave, ndërsa disa bashki kanë ndërmarrë hapa për t’i ndaluar ato plotësisht./Përshtati nga Abc News, ekofin.al
