Shoqëria e sigurimit Atlantik e mbyll vitin 2025 duke u pozicionuar si kompania me vlerën dhe numrin më të ulët të dëmeve pezull në tregun shqiptar të sigurimeve jo-jetë, sipas të dhënave zyrtare statistikore për periudhën janar–nëntor 2025, të raportuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Referuar tabelës së dëmeve pezull nga shoqëritë e sigurimit të jo-jetës, Atlantik rezulton me vetëm 372 praktika pezull, me një vlerë totale prej 68.4 milionë lekësh, duke përfaqësuar vetëm 0.85% të totalit. Ky nivel është ndjeshëm më i ulët krahasuar me të gjitha shoqëritë e tjera të tregut, si në aspektin e numrit të çështjeve, ashtu edhe në peshën financiare të tyre.
Ky tregues e pozicionon Atlantik si shoqërinë me ekspozimin më të kufizuar ndaj detyrimeve të papërmbyllura, duke reflektuar një administrim më efikas të portofolit të dëmeve dhe një disiplinë të lartë në trajtimin e kërkesave për dëmshpërblim. Kjo edhe marrë në konsideratë peshën e shoqërisë në tregun e sigurimeve të jo-jetës.
Një element tjetër i rëndësishëm që del nga analiza e të dhënave lidhet me strukturën e këtyre dëmeve pezull. Sipas shifrave të AMF, referuar dëmeve në proces gjyqësor deri në 9-mujor, rezulton se për shoqërinë Atlantik 61 çështje janë aktualisht në ndjekje gjyqësore, me një vlerë prej rreth 22.5 milionë lekësh. Kjo do të thotë se afërsisht një e treta e vlerës së dëmeve pezull të Atlantik lidhet me çështje që ndodhen në sistemin gjyqësor.
Këto praktika nuk varen më nga vendimmarrja apo procedurat e brendshme të shoqërisë, por nga ecuria e proceseve në shkallët e gjyqësorit, të cilat, për shkak të mbingarkesës së njohur të sistemit, shpesh shoqërohen me afate të zgjatura. Në këtë kontekst, pesha reale e menaxhimit të dëmeve nga ana e shoqërisë rezulton edhe më e ulët, pasi një pjesë e konsiderueshme e vlerës së mbetur pezull është e kushtëzuar nga faktorë të jashtëm institucionalë.
Në terma krahasues, Atlantik jo vetëm që ka vlerën më të ulët absolute të dëmeve pezull, por edhe numrin më të kufizuar të praktikave në proces. Ky pozicionim tregon për një qasje konservatore ndaj riskut, një trajtim më të shpejtë të detyrimeve ndaj klientëve dhe një ekspozim minimal ndaj të papriturave.
Në një treg ku dëmet pezull përbëjnë një tregues të rëndësishëm të stabilitetit financiar dhe të cilësisë së menaxhimit, mbyllja e vitit 2025 me këto parametra e vendos Atlantik në një pozicion të favorshëm, si nga këndvështrimi rregullator, ashtu edhe nga ai i besimit të tregut dhe konsumatorëve. /ekofin.al
