Në një moment domethënës për zhvillimin e kulturës detare në Shqipëri, në ambientet e Crew Shop u organizua një event i veçantë kushtuar vlerësimit të profesionit dhe eksperiencës së Kapitenëve të Jahtit, si edhe promovimit të brezit të ri të Junior Kapitenëve – fëmijë të trajnuar dhe të certifikuar për të lundruar në mënyrë të sigurt, së bashku me prindërit e tyre.
Aktiviteti shënoi më shumë sesa një ceremoni simbolike. Ai u kthye në një platformë reflektimi dhe krenarie për një komunitet në ndërtim: komunitetin e nautikës shqiptare, i cili po konsolidohet mbi bazën e standardeve profesionale, edukimit të hershëm dhe respektit për detin.
Atmosfera e eventit bashkoi breza të ndryshëm – profesionistë me eksperiencë shumëvjeçare dhe fëmijë që po hedhin hapat e parë në botën e lundrimit – duke dëshmuar se pasioni për detin nuk njeh moshë, por kërkon përgatitje, disiplinë dhe kulturë detare. Në këtë kuadër, Junior Kapitenët u vlerësuan si një investim afatgjatë për të ardhmen e lundrimit rekreativ dhe sportiv në vend.
“Fëmijët janë e ardhmja në çdo fushë, por është detyrë e të rriturve t’i orientojnë drejt pasioneve që më pas ata i përqafojnë si të tyret,” thekson Dorian Mersini, themelues & CEO i Crew Shop Albania – Yacht Club & Boutique. Sipas tij, komuniteti i Junior Captains përfaqëson një investim real për brezat që vijnë dhe një bazë të shëndoshë për ndërtimin e një kulture të qëndrueshme.
Sipas organizatorëve, filozofia e edukimit detar që promovohet sot shkon përtej aspektit teknik të drejtimit të një mjeti lundrues. Ajo ndërton që në moshë të vogël vlera si siguria, përgjegjësia, korrektësia dhe eleganca në det, elementë që janë thelbësorë për krijimin e një identiteti të qëndrueshëm të nautikës shqiptare.
Në një kohë kur turizmi detar dhe lundrimi rekreativ po marrin një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në ekonominë shqiptare, iniciativa të tilla shihen edhe si kontribut i drejtpërdrejtë në profesionalizimin e sektorit. Krijimi i një komuniteti të strukturuar nautike, të përgatitur sipas standardeve ndërkombëtare, është një parakusht për zhvillimin e qëndrueshëm të marinave, shërbimeve detare dhe turizmit elitar përgjatë bregdetit shqiptar.
Crew Shop, përtej rolit të saj si pikë referimi për pajisje dhe shërbime nautike, po afirmohet gjithnjë e më shumë si një hapësirë ku ndërtohen lidhje profesionale, lindin ide dhe promovohet kultura autentike detare shqiptare. Eventi i fundit konfirmon këtë rol, duke e vendosur Crew Shop në qendër të një komuniteti që synon standarde të larta dhe vizion afatgjatë.
Zhvillimi i nautikës shqiptare është ende në hapat e parë, por iniciativa të tilla tregojnë se drejtimi është i qartë: profesionalizëm, edukim dhe kulturë detare, si baza për një sektor me potencial të rëndësishëm ekonomik dhe turistik për vendin. /ekofin.al
