Ekonomia shqiptare ka vijuar ritmin pozitiv të rritjes gjatë tremujorit të tretë të vitit 2025. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga INSTAT, Produkti i Brendshëm Bruto (PBB), në terma realë, u rrit me 3,75% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke reflektuar një zgjerim të mbështetur kryesisht nga sektori i shërbimeve dhe shpenzimet publike.
Struktura e rritjes ekonomike tregon një peshë dominuese të sektorëve jo-prodhues. Administrata publike, arsimi dhe shëndetësia dhanë kontributin më të madh në rritjen e PBB-së, me +1,68 pikë përqindje, duke reflektuar zgjerimin e shpenzimeve publike dhe aktivitetit institucional. Në vijim, tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor kontribuan me +0,62 pikë përqindje, duke pasqyruar vijimin e sezonit turistik dhe rritjen e konsumit të shërbimeve.
Një rol të rëndësishëm luajtën edhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme me +0,50 pikë përqindje, si dhe ndërtimi me +0,48 pikë përqindje, sektorë që mbeten ndër motorët kryesorë të rritjes ekonomike në vitet e fundit. Kontribut pozitiv, megjithëse më modest, dhanë edhe informacioni dhe komunikacioni (+0,21), aktivitetet profesionale dhe shërbimet administrative (+0,15), artet, argëtimi dhe shërbimet e tjera (+0,08), si dhe aktivitetet financiare dhe të sigurimit (+0,01).
Në kahun e kundërt, industria, energjia dhe uji dhanë një kontribut negativ prej -0,48 pikë përqindje, ndërsa bujqësia, pyjet dhe peshkimi ulën rritjen me -0,26 pikë përqindje, duke reflektuar vështirësitë strukturore të këtyre sektorëve. Ndërkohë, taksat neto mbi produktet kontribuan pozitivisht me +0,76 pikë përqindje, duke forcuar ndikimin fiskal në rritjen e përgjithshme.
Në terma të ndryshimit vjetor, rritjen më të lartë e shënoi administrata publike, arsimi dhe shëndetësia me 15,04%, e ndjekur nga pasuritë e paluajtshme me 10,55% dhe informacioni dhe komunikacioni me 10,40%. Ndërtimi u rrit me 4,75%, ndërsa tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor me 2,62%.
Nga ana tjetër, industria, energjia dhe uji pësuan rënie prej 4,75%, ndërsa bujqësia, pyjet dhe peshkimi u tkurrën me 1,73%, duke konfirmuar një ndarje të qartë mes sektorëve të shërbimeve dhe atyre prodhues.
Treguesi i PBB-së i përshtatur sezonalisht shënoi një rritje 1,09% krahasuar me tremujorin paraardhës. Rritje të fortë tremujore regjistruan artet, argëtimi dhe shërbimet e tjera (+5,15%), aktivitetet financiare dhe të sigurimit (+5,13%), si dhe informacioni dhe komunikacioni (+4,31%). Në kontrast, industria, energjia dhe uji ranë me 5,11%, ndërtimi me 1,90% dhe bujqësia me 0,51%.
Nga këndvështrimi i shpenzimeve, rritja ekonomike u mbështet kryesisht nga eksportet e mallrave dhe shërbimeve, të cilat u rritën me 12,55%, si dhe nga konsumi final i qeverisë me 7,72%. Formimi bruto i kapitalit fiks u rrit me 4,78%, ndërsa konsumi final i popullatës shënoi një rritje më të moderuar prej 1,25%.
Në bazë tremujore, të dhënat e përshtatura sezonalisht tregojnë një rënie të konsumit të popullatës (-0,97%) dhe atij të qeverisë (-0,98%), ndërkohë që investimet dhe tregtia e jashtme mbetën pozitive.
Mesatarja e rritjes ekonomike për nëntëmujorin e vitit 2025 vlerësohet në 3,73%, duke konfirmuar një ecuri relativisht të qëndrueshme të ekonomisë shqiptare, por edhe një varësi të theksuar nga sektori i shërbimeve dhe shpenzimet publike, ndërkohë që sektorët prodhues vijojnë të mbeten nën presion./ekofin.al
