Qeveria ka propozuar një projektligji për hekurudhën në Shqipëri, i cili parashikon ndarjen e saj në dy shoqëri të veçanta. Sipas projektligjit, shoqëria “Hekurudha Shqiptare”, sh.a., ndahet në dy shoqëri pritëse; në shoqërinë aksionare për infrastrukturën hekurudhore, e cila do të quhet edhe administruesi i infrastrukturës dhe në shoqërinë aksionare për transportin e udhëtarëve dhe mallrave, si dhe mirëmbatjen e mjeteve lëvizëse, ose ndryshe sipërmarrësi hekurudhor.
Ky i fundit do të jetë përgjegjës për administrimin, funksionimin e shërbimeve kombëtare dhe ndërkombëtare të transportit hekurudhor të udhëtarëve, nëpërmjet lokomotivave dhe vagonëve të udhëtarëve, të blerë ose të marrë me qira, duke garantuar performancë të lartë të këtij lloj transporti. E njëjta gjë vlen edhe për kryerjen e transportit të mallrave.
Nga ana tjetër ligji e ngarkon sipërmarrësin me përgjegjësi për modernizimin apo riparimin e mjeteve hekurudhore dhe infrastrukturës së saj.
Sipërmarrësi hekurudhor mund të jetë përftues i së drejtës ekskluzive për të ofruar shërbimin publik për transportin e udhëtarëve me hekurudhë dhe e detyron atë të mirëmbajë regjistrin e mjeteve.
Për këtë realizuar procesin e ndarjes së shoqërisë “Hekurudha shqiptare” sh.a., ministri përgjegjës për transportin hekurudhor cakton ekspertët përkatës për vlerësimin e shoqërisë “Hekurudha Shqiptare”, sh.a., dhe krijimin e dy shoqërive të reja, të cilat regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit brenda 6 (gjashtë) muajve nga miratimi i raporteve përfundimtare të ekspertëve.
Megjithatë, për një periudhë 12-mujore nga regjistrimi i dy shoqërive në Qendrën Kombëtare të Biznesit, shoqëria “Hekurudha Shqiptare”, sh.a., do të mbikëqyrë veprimtarinë e dy shoqërive të reja dhe përmbushjen e përgjegjësive, të përcaktuara me ligj dhe pas këtij afati çregjistrohet.
Transferimi i pasurive të Hekurudhës Shqiptare bëhet te shoqëritë pritëse, së bashku me lejet dhe licencat përkatëse. Ligji do t’i nënshtrohet tani procedurave parlamentare përpara miratimit. /ekofin.al

