Një ditë pasi Ministri i Financave zbuloi disa nga ndryshimet e ndërmarra në aktin e katërt normativ për buxhetin e këtij viti, ekofin.al zbardh të plota të gjitha ndryshimet që pëson në ditët e fundit të vitit, buxheti 2025.
Rishikimi i buxhetit përmes aktit normativ nuk ndryshon nivelin total të shpenzimeve të planifikuara për vitin buxhetor, por kryen një seri rialokimesh me efekt neutral, të orientuara drejt mbulimit të nevojave më emergjente sociale, forcimit të sektorëve prioritarë dhe rritjes së eficiencës në zbatimin e investimeve publike, thekson MF në relacionin shoqërues të ndryshimeve.
Në fokus të këtij akti normativ janë mbrojtja sociale, shëndetësia, bujqësia, infrastruktura, siguria publike dhe përmbushja e angazhimeve ndërkombëtare, ndërkohë që një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe stabilitetit financiar të njësive të vetëqeverisjes vendore. Rishpërndarja e fondeve synon garantimin e vijimësisë së shërbimeve publike, përshpejtimin e projekteve strategjike dhe shmangien e kostove shtesë që do të lindnin nga vonesat në zbatim.
2.23 miliardë lekë shpërblim për rreth 148,500 përfitues të ndihmës ekonomike
Në këtë kuadër, shpenzimet e përgjithshme mbeten në të njëjtin nivel të planifikuar, por shpenzimet korente rriten me rreth 6.9 miliardë lekë. Një pjesë e rëndësishme e kësaj shtese orientohet drejt mbështetjes së kategorive më vulnerabël, përmes akordimit të një ndihme financiare prej 15 mijë lekësh për rreth 148.500 përfitues të skemave të Ndihmës Ekonomike dhe Aftësisë së Kufizuar, me një efekt financiar prej 2.23 miliardë lekësh. Paralelisht, parashikohet që të gjitha fondet e papërdorura në mbyllje të buxhetit 2025 të transferohen në llogarinë e mbështetjes së pensionistëve në Bankën e Shqipërisë, e cila përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave.
321 milionë lekë dëmshpërblim për gripin e shpendëve
Një tjetër rialokim i rëndësishëm lidhet me sektorin e shëndetësisë, ku kursimet e brendshme të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në masën 1.76 miliardë lekë, rishpërndahen për të mbuluar nevojat për furnizim me medikamente të QSUT-së dhe spitaleve të tjera në rang vendi. Ndërkohë, bujqësia përfiton një financim shtesë prej 2.3 miliardë lekësh, nga të cilat 1.96 miliardë lekë shkojnë për mbulimin e plotë të kërkesave të fermerëve që plotësojnë kriteret e skemës mbështetëse për vitin 2025, ndërsa 321 milionë lekë destinohen për dëmshpërblimet e shkaktuara nga gripi i shpendëve.
1.6 miliardë lekë shtesë Infrastrukturës për kontratat e mirëmbajtjes
Shtesa të konsiderueshme fondesh parashikohen edhe për sektorë të tjerë prioritarë. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë përfiton 1.6 miliardë lekë shtesë për mbulimin e detyrimeve që rrjedhin nga kontratat e mirëmbajtjes rrugore dhe vendimet gjyqësore për shpronësime. Ministria e Brendshme merr 1.3 miliardë lekë shtesë për mbulimin e shpenzimeve të Policisë së Shtetit, kryesisht për kompensimin ushqimor, orët jashtë orarit, dietat dhe karburantin gjatë sezonit intensiv turistik, si dhe për shlyerjen e detyrimeve nga vendime gjyqësore të IKMT-së. Ministria e Mbrojtjes përfiton 626 milionë lekë shtesë për përmbushjen e detyrimeve financiare ndaj NATO-s dhe misioneve ushtarake jashtë vendit, ndërsa Ministria e Turizmit dhe Kulturës mbështetet me 847 milionë lekë shtesë, kryesisht për financimin e aktiviteteve sportive me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar.
4 miliardë lekë për Albcontrol, që mbetet me llogari të blllokuara
Nga ana tjetër, shpenzimet kapitale me financim të brendshëm ulen me rreth 3 miliardë lekë, si pasojë e mosrealizimit të plotë të disa projekteve investuese për shkak të vonesave procedurale dhe ritmeve të ulëta të zbatimit. Megjithatë, brenda këtij zëri janë kryer rialokime të rëndësishme me efekt neutral, duke mbështetur projekte dhe institucione me performancë të mirë. Në këtë kuadër, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë përfiton rreth 10 miliardë lekë shtesë për avancimin e projekteve strategjike, duke përshpejtuar financimin e tyre nga viti 2026 në vitin aktual. Konkretisht, 5.8 miliardë lekë alokohen për projekte në transportin rrugor, 4 miliardë lekë për transportin ajror – ku përfshihet mbështetja kapitale për Albcontrol dhe shlyerja e detyrimeve të saj ndaj AIC – si dhe 508 milionë lekë për projekte në sektorin e furnizimit me ujë dhe kanalizime.
551 milionë lekë për blerjen e godinës së ambasadës së Shqipërisë në Londër
Në sektorë të tjerë, Ministria e Drejtësisë përfiton rreth 200 milionë lekë shtesë për përshpejtimin e projektit të Institutit të të Miturve në Konflikt me Ligjin, duke reflektuar prioritetin për rehabilitimin dhe riintegrimin social të të miturve. Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme i shtohen rreth 551 milionë lekë, kryesisht për blerjen e Selisë Diplomatike në Londër, një investim afatgjatë që synon uljen e kostove të qirasë dhe forcimin e pranisë diplomatike të Shqipërisë. Njëkohësisht, Ministria e Financave përfiton 1 miliardë lekë shtesë për financimin e kapitalit të Bankës Shqiptare të Zhvillimit, ndërsa Ministria e Brendshme mbështetet me rreth 40 milionë lekë për shlyerjen e detyrimeve të TVSH-së dhe angazhimeve kontraktuale.
Ulen me 1.98 miliardë lekë shpenzimet kapitale me financim të huaj
Shpenzimet kapitale me financim të huaj, nga ana tjetër, ulen me rreth 1.98 miliardë lekë, si pasojë e rishikimit të ritmeve të zbatimit të projekteve, vonesave në disbursimet e kredive dhe granteve, si dhe përshtatjes së planeve investuese me kapacitetet reale të zbatimit gjatë vitit buxhetor. Megjithatë, edhe këtu parashikohen rialokime pozitive, ku Ministria e Shëndetësisë përfiton rreth 400 milionë lekë shtesë për projekte në infrastrukturën spitalore, ndërsa Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë mbështetet me rreth 430 milionë lekë për projekte të furnizimit me ujë me financim të huaj. Një element i veçantë i këtij rishikimi është parashikimi i rreth 3.8 miliardë lekëve për programin “Forcat e Luftimit”, në funksion të përmbushjes së angazhimeve të Shqipërisë ndaj NATO-s, në përputhje me objektivat për rritjen graduale të shpenzimeve të mbrojtjes në raport me PBB-në.
1.2 miliardë lekë shtesë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të pushtetit vendor
Ndryshime të rëndësishme reflektohen edhe në buxhetin e Njësive të Vetëqeverisjes Vendore. Rishikimi parashikon uljen me 256 milionë lekë të financimit të huaj vendor për shkak të mosrealizimit, si dhe rritjen me 56 milionë lekë të të ardhurave nga taksat e ndara që transferohen në buxhetin vendor, si pasojë e realizimit të lartë të tatimit mbi të ardhurat personale. Elementi kryesor mbetet alokimi i 1.2 miliardë lekëve për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të njësive vendore, me synim përmirësimin e stabilitetit financiar, disiplinës fiskale dhe krijimin e hapësirave për investime të qëndrueshme në nivel lokal. Kjo transfertë shpërndahet mes bashkive dhe këshillave të qarqeve sipas peshës së detyrimeve dhe popullsisë, duke përjashtuar Bashkinë e Tiranës, e cila vlerësohet se ka potenciale të larta fiskale për gjenerimin e të ardhurave të veta.
Në tërësi, akti normativ i rishikimit të buxhetit përfaqëson një ndërhyrje korrigjuese që synon të harmonizojë planifikimin buxhetor me realitetin e zbatimit, duke ruajtur ekuilibrat fiskalë dhe duke orientuar burimet publike drejt sektorëve dhe projekteve me ndikim më të drejtpërdrejtë në ekonomi dhe mirëqenien sociale. /ekofin.al
