Protesta e sotme e Partisë Demokratike është kërkuar të zhvillohet në disa akse rrugore kryesore, nga ora 17:00 deri në orën 20:00.
Sipas të dhënave nga Policia e Shtetit, akset që u kërkuan të zhvilloheshin tubimet janë: “Tiranë–Durrës”, pranë mbikalimit të Kamzës; “Durrës-Tiranë”, pranë mbikalimit të Shkozetit; “Kashar–Milot”, pranë kryqëzimit të Milotit; “Elbasan–Tiranë”, te rrethrrotullimi i Bradasheshit; “Durrës–Fier”, te rrethrrotullimi i Rrogozhinës dhe “Levan–Tepelenë”, te rrethrrotullimi i Levanit.
Policia e Shtetit ka njoftuar se do të garantojë të drejtën për tubim, por pa cenuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të automjeteve dhe se “Bllokimi i akseve rrugore është vepër penale e parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal dhe cilido që do të ndërmarrë veprime për të bllokuar rrugët, do të përballet me pasojat që sjell shkelja e këtij neni”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, janë marrë të gjitha masat që në rast bllokimi të devijohet qarkullimi i automjeteve në rrugë alternative. Gjithashtu një kujtesë për të gjithë qytetarët që duan të udhëtojnë drejt Aeroportit të Rinasit, të marrin masa të mbërrijnë përpara orës 17:00 ose të përdorin rrugët alternative për të mbërritur në kohë.
Policia e Shtetit apelon dhe një herë për zbatim të ligjit dhe respektim të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe automjeteve, gjatë orarit të tubimeve.

