Deri në vitin 2028, bashkitë në të gjithë vendin do të ndërmarrin masa konkrete dhe do të miratojnë rregullore të posaçme për kufizimin e reklamave dhe postës pa adresë, si pjesë e Programit Kombëtar të Parandalimit të Mbetjeve.
Kjo ndërhyrje synon të adresojë një nga burimet më të zakonshme, por shpesh të nënvlerësuara, të krijimit të mbetjeve të letrës në sektorin familjar.
Postat dhe materialet promocionale që shpërndahen pa adresë përfundojnë në shumicën e rasteve drejtpërdrejt në koshin e mbeturinave, pa u lexuar apo përdorur. Kjo praktikë jo vetëm rrit sasinë e mbetjeve të letrës, por krijon edhe kosto shtesë për sistemin e menaxhimit të mbetjeve në nivel vendor.
Programi e konsideron këtë fluks si një burim të rëndësishëm të mbetjeve të shmangshme, që mund të reduktohet ndjeshëm përmes ndërhyrjeve të thjeshta rregullatore dhe angazhimit të qytetarëve.
Në kuadër të Masës 24, parashikohet aplikimi i një strategjie të tipit “opt-out”, e cila u jep qytetarëve të drejtën të refuzojnë marrjen e reklamave dhe postës pa adresë. Familjet që nuk dëshirojnë të marrin këtë lloj materiali do të mund ta shprehin qartë vullnetin e tyre përmes vendosjes së një afisheje “Jo” në kutinë postare. Kjo qasje synon të zhvendosë përgjegjësinë nga qytetari te shpërndarësi, duke e bërë refuzimin e postës pa adresë një të drejtë të dukshme dhe të respektueshme.
Bashkitë do të mbështesin aktivisht zbatimin e kësaj mase përmes rregulloreve vendore dhe udhëzimeve praktike. Një nga elementët kyç është kushtëzimi i shpërndarjes së postës pa adresë vetëm në kutitë postare që kanë të vendosur një afishe “Po”, duke përjashtuar automatikisht ato familje që kanë shprehur refuzimin. Në këtë mënyrë, shpërndarja e reklamave pa adresë do të bëhet e kontrolluar dhe e targetuar, duke reduktuar ndjeshëm mbetjet e panevojshme.
Kufizimi i reklamave dhe postës pa adresë pritet të sjellë përfitime të drejtpërdrejta mjedisore, përmes uljes së konsumit të letrës dhe zvogëlimit të sasisë së mbetjeve që përfundojnë në landfill. Njëkohësisht, kjo masë ndihmon bashkitë të reduktojnë kostot e grumbullimit dhe trajtimit të mbetjeve, ndërsa nxit një kulturë më të përgjegjshme të konsumit dhe komunikimit tregtar./ekofin.al
