Kuvendi kaloi pa shumë ndryshimet edhe projektligjet e tjera pjesë e paketës fiskale, përfshirë atë të projektligjit për TVSH, me fokus bujqësinë. Edhe këtu propozimet e deputetit socialist Erion Braçe por edhe atyre opozitarë Enno Bozdo e Jorida Tabaku u rrëzuan.
Kështu u miratua pa ndryshime versioni i draftit për TVSH, që parashikon që fermerët me NIPT në tatime të përfitojnë 10% kompensim për faturën që marrin nga grumbulluesit kur ju shesin produktet që kanë prodhuar. Në fakt në vend janë 111 mijë fermerë, por sipas vlerësimeve vetëm 11 mijë pritet të përfitojnë nga kjo nismë.
Pa ndryshime me votat e mazhorancës kaloi edhe projektligji për procedurat tatimore që parashikon që bizneset nuk do të bëjnë transaksione me vlerë më të lartë se 100 mijë lekë në cash me një biznes tjetër. Projektligji për ndryshimin e ligjit “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, ul gjithashtu tavanin për pagesat cash mes bizneseve nga 150 mijë lekë në 100 mijë lekë, si dhe kufizon për herë të parë në 500 mijë lekë vlerën e pagesave që mund të bëjnë me para në dorë individët apo të vetëpunësuarit.
Me shumicë votash u miratua edhe Projektligji “Për sistemin e taksave vendore” ku hiqet pagesa e taksës së infrastrukturës për të gjitha investimet të financuara nga buxheti i njësive të qeverisjes qendrore dhe vendore, të ndërtimeve për qëllime publike në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale.
Gjithashtu kaloi edhe ndryshimi i ligjit për “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, si dhe projektligji për të ndryshuar ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, ku parashikohet një sërë lehtësish fiskale për sponsorizimet në sport si dhe në fushën e zhvillimit dhe kërkimit. /ekofin.al
