Përdorimi i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) nga individët dhe familjet shqiptare ka arritur nivele më të larta se kurrë, sipas të dhënave të publikuara sot nga INSTAT. Rezultatet e anketës së vitit 2025 tregojnë një rritje të fortë të përdorimit të internetit, rritje të aksesit në shërbime digjitale, përdorim masiv të platformave online dhe përmirësim të ndjeshëm të aftësive teknologjike të popullsisë, duke konfirmuar thellimin e transformimit digjital në vend.
Sipas INSTAT, 87,2% e popullsisë 16–74 vjeç kanë përdorur internetin në tre muajt e fundit, një rritje me 1 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Përdoruesit e shpeshtë të internetit përbëjnë pothuajse gjithë grupin e përdoruesve: 97,3% e tyre hyjnë online disa herë gjatë ditës. Interneti vazhdon të dominohet nga përdorimi i telefonave inteligjentë, të cilët përdoren nga 99,9% e individëve për të hyrë në internet, ndërsa pajisjet e tjera si smart TV apo ora inteligjente përdoren nga 59% e përdoruesve. Laptopët përdoren nga 41,2% e tyre dhe kompjuterët desktop nga 20,9%. Në të njëjtën linjë, komunikimi përmes video-thirrjeve është bërë universal, me 99,1% të popullsisë që i përdor rregullisht platforma si WhatsApp apo Messenger.
Aksesi në internet në familjet shqiptare është gjithashtu gati universal. Rreth 97,7% e njësive ekonomike familjare kanë lidhje interneti, ku 92,1% përdorin broadband fiks dhe 99,3% përdorin broadband celular. Rritje të dukshme janë regjistruar edhe në aktivitetet online në tre muajt e fundit: kërkimi i informacionit për produkte dhe shërbime është rritur me 10,7 pikë përqindje; përdorimi i internet banking është zgjeruar me 7,7 pikë përqindje; ndërsa pjesëmarrja në rrjetet sociale është rritur me 5,7 pikë përqindje.
Një tjetër tregues domethënës është përdorimi i platformës e-Albania, ku 99,5% e popullsisë 16–74 vjeç kanë një llogari aktive, duke e bërë këtë shërbim publik digjital praktikisht universal. Përdorimi i e-qeverisjes ka shënuar rritje në të gjitha kategoritë, nga marrja e informacionit deri te shkarkimi i formularëve zyrtarë, ku rritja më e madhe është regjistruar në marrjen e informacionit përmes faqeve apo aplikacioneve online me 2,2 pikë përqindje.
Edhe blerjet online po bëhen pjesë e përditshmërisë së konsumatorëve shqiptarë. Në 12 muajt e fundit, 45,4% e popullsisë ka kryer blerje online, një rritje me rreth 3 pikë përqindje. Rritje edhe më të madhe ka grupi që ka bërë blerje në tre muajt e fundit (26,1%), me një zgjerim prej 5,7 pikë përqindje krahasuar me vitin 2024. Produktet më të blera online janë rrobat, këpucët dhe aksesorët, të cilat zënë 96,5% të të gjitha blerjeve online. Pas tyre renditen shërbimet e dërgesave nga restorantet dhe fast food-et me 61,1%, produktet kozmetike dhe të bukurisë me 45,3%, ushqimet dhe pijet me 44,6% dhe pajisjet elektronike me 20,2%.
Transformimi digjital shihet edhe në rritjen e aftësive teknologjike të popullsisë. Të gjithë indikatorët kanë shënuar rritje gjatë vitit 2025. Rritja më e fortë është regjistruar në aftësinë për të përdorur programe editimi fotoje, videoje ose audioje, e cila është rritur me 9,2 pikë përqindje. Po ashtu, aftësia për të përdorur programe si Word është rritur me 8,4 pikë përqindje, aftësia për të instaluar programe apo aplikacione me 2,8 pikë përqindje, ndërsa aftësitë e krijimit të prezantimeve dhe përdorimit të software-eve më të avancuara kanë shënuar rritje të qëndrueshme. Edhe krijimi i kodeve në gjuhë programimi ka regjistruar rritje, duke arritur në 11,2% të popullsisë.
Të dhënat e INSTAT konfirmojnë se Shqipëria po ecën me ritme të përshpejtuara drejt integrimit digjital, duke e bërë teknologjinë pjesë të pandarë të edukimit, shërbimeve publike, konsumit dhe punës. Rritja e përdorimit të internetit, aftësive teknologjike, shërbimeve digjitale dhe e-blerjeve sinjalizon një treg dhe një shoqëri që po përshtatet shpejt me standardet e ekonomive më të zhvilluara në rajon dhe më gjerë. /ekofin.al

