Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, i ka bërë apel të rinjve të zgjedhin Universitetin Bujqësor për të studiuar. Ajo tha se sektori i bujqësisë është prioritet për zhvillimin e vendit dhe kjo duhet të reflektohet në shifrat e studentëve të cilët zgjedhin degët e bujqësisë.
Në konferencën e mbajtur pas mbledhjes së qeverisë, ministrja solli në vëmendje vendimin e fundit të Qeverisë shqiptare, që tashmë ofron mbështetje financiare prej 40 000 lekë në muaj për studentët e rinj që zgjedhin të studiojnë në disa programe prioritare, ku përfshihet edhe dega e Bujqësisë.
“I ftoi të rinjtë që janë përpara zgjedhjes për Universitetet që t’i bashkohen Bujqësisë, si një mundësi shumë e mirë për sipërmarrje të reja në gjithë spektrin që ofron zhvillimi rural, duke kontribuar kështu për ekonominë e tyre dhe të vendit”, tha Krifca .
Sipas saj, një nga sfidat e Universitetit Bujqësor të Tiranës mbetet rritja e interesit për të rinjtë shqiptarë për të studiuar në programet e ofruara në këtë universitet, për të cilat tregu ka nevojë.
