Sot shënohet 8 Dhjetori, Dita Kombëtare e Rinisë, një nga datat më kuptimplotë të historisë sonë moderne. E shpallur festë kombëtare në vitin 2009, kjo ditë nderon studentët dhe pedagogët e dhjetorit 1990, të cilët me guxim dhe vizion ndezën shkëndijën e ndryshimit që i dha fund një epoke dhe i hapi Shqipërisë rrugën drejt lirisë, demokracisë dhe ekonomisë së tregut.
Më 8 dhjetor 1990, studentët e Tiranës artikuluan kërkesën që u bë moto kombëtare: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. Ai nuk ishte vetëm një slogan, por një projekt shoqëror, një aspiratë për një vend të lirë, europian në vlera dhe në standarde, ku të drejtat, dinjiteti dhe mundësitë t’i përkasin çdo qytetari.
Sot, 35 vite më vonë, kjo thirrje mbetet po aq aktuale. Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara, por distanca me vendet e Bashkimit Evropian mbetet ende e ndjeshme. Me një nivel të Ardhurave Kombëtare për Frymë rreth 40–45% të mesatares së BE-së, ekonomia shqiptare vazhdon të jetë në proces konvergjence. Standardet e jetesës, pagat, pensionet dhe cilësia e shërbimeve publike: nga arsimi te shëndetësia janë përmirësuar, por ende nuk arrijnë nivelet evropiane.
Për shumë të rinj, krahasimet janë konkrete: arsimi i lartë në Shqipëri përballet me sfida në cilësinë e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor; sistemi shëndetësor mbetet nën presion nga mungesa e stafit dhe infrastruktura e vjetëruar; pensionet janë ndër më të ulëtat në rajon në raport me koston e jetesës; ndërsa fuqia blerëse e familjeve shqiptare është larg mesatares së BE-së.
Prandaj, mesazhi i studentëve të dhjetorit nuk është vetëm kujtim historik është një detyrim i përditshëm politik, institucional dhe shoqëror: të vazhdojmë afrimin me Europën jo vetëm në dokumente e kapituj negociues, por në realitetin e përditshëm të qytetarëve.
8 Dhjetori mbetet e vetmja lëvizje paqësore që ndryshoi rrënjësisht historinë e Shqipërisë. Ajo nuk pati palë fituese e palë të humbura, sepse fitorja ishte e gjithë shoqërisë. Sot, vlera e kësaj dite qëndron pikërisht te fakti se fryma e saj — kërkesa për një vend europian në standarde, në mundësi dhe në cilësi jete është ende busulla jonë e përbashkët.
“E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” është ende aspirata jonë. Detyra jonë është ta bëjmë realitet.
