Nga viti 2026, Milano po ashpërson rregullat për qiratë afatshkurtra, duke vendosur një ndalim për kutitë e çelësave të vendosura në hapësira publike.
Milano i është bashkuar zyrtarisht listës së qyteteve italiane që ndalojnë përdorimin e kutive të çelësave për qiratë afatshkurtra. Duke filluar nga janari 2026, përdorimi i këtyre kutive nuk do të lejohet më, në zbatim të një vendimi të këshillit bashkiak që synon posaçërisht instalimin e tyre.
Ndalimi zbatohet për kutitë e çelësave të vendosura në elemente të infrastrukturës së rrugës, tabela, gardhe, porta, shtylla ndriçimi apo struktura të tjera të vendosura në tokë publike. Ata që nuk respektojnë rregullat e reja rrezikojnë një gjobë nga 100 deri në 400 euro, si dhe detyrimin për të mbuluar kostot e heqjes.
Kutitë e çelësave përdoren zakonisht për t’u mundësuar vizitorëve të bëjnë vetë-regjistrimin. Megjithatë, bashkia thekson se, pa autorizimin për të zënë hapësirë publike dhe pa pagesën e tarifave përkatëse, këto kuti përbëjnë përdorim të papërshtatshëm të pronës publike për përfitim privat.
Vendimi i referohet edhe arsyeve të sigurisë, duke shtuar se kutitë e çelësave mund të përdoren për aktivitete të paligjshme, përfshirë trafikun e drogës, siç është evidentuar në hetime të fundit gjyqësore.
Pronaret e apartamenteve kanë tridhjetë ditë kohë për t’u përshtatur dhe për të hequr kutitë; nëse nuk e bëjnë, do të duhet të paguajnë gjobën dhe kostot e heqjes nga bashkia.
Qytete të tjera italiane i kanë ndaluar tashmë kutitë e çelësave
Milano nuk është qyteti i parë që ndërmerr masa të tilla. Me rritjen e qirave afatshkurtra, qytete turistike si Firence, Bolonja, Roma dhe Venecia kanë vendosur tashmë ndalime të ngjashme për të mbrojtur estetikën urbane dhe për të garantuar sigurinë publike.
Në Firence, për shembull, një vendim i miratuar në shkurt të këtij viti ndalon instalimin e kutive të çelësave në pronë publike, duke kërkuar heqjen e tyre brenda 10 ditëve dhe vendosjen e gjobave administrative.
Nga TAR-i te Këshilli i Shtetit
Edhe Roma ka nisur një operacion për heqjen e kutive të çelësave nga rrugët e saj, megjithëse jo pa probleme.
Zëvendësprokurori Alessandro Di Cicco deklaroi se sekuestrimi i kryer nga policia lokale ishte i paligjshëm, pasi ishte ndërmarrë “pa një verifikim paraprak të strukturave akomoduese me të cilat ato mund të lidheshin dhe pa përcaktuar nëse menaxheri apo pronari i strukturës i kishte identifikuar personalisht vizitorët”.
Ndërkohë, Ministria e Brendshme e ka bërë të detyrueshëm regjistrimin fizik të vizitorëve në strukturat akomoduese, duke u mbështetur në arsye të rendit publik dhe sigurisë, për të shmangur rreziqe që lidhen me akomodimin e personave të paidentifikuar ose potencialisht të rrezikshëm.
Vetë-regjistrimi përmes kutive të çelësave e vështirësonte gjurmimin e vizitorëve, duke krijuar një boshllëk përgjegjësie. Operacionet bashkiake për heqjen e tyre u bazuan pikërisisht në këtë direktivë. Ministria e lidhi masën edhe me rritjen e qirave afatshkurtra, të cilat mund të shtohen ndjeshëm gjatë ngjarjeve të mëdha publike e turistike, si Jubileu 2025, duke rritur rreziqet dhe keqpërdorimin e strukturave akomoduese.
Në maj 2025, Gjykata Administrative Rajonale e Lazios (TAR) anuloi qarkoren e Ministrisë së Brendshme që kërkonte identifikimin fizik të vizitorëve dhe ndalonte kutitë e çelësave, duke e cilësuar atë disproporcionale dhe të pambështetur mjaftueshëm në objektiva sigurie. Megjithatë, në nëntor 2025, Këshilli i Shtetit e rrëzoi këtë vendim, duke konfirmuar se identifikimi fizik mbetet i detyrueshëm dhe se vetë-regjistrimi përmes kutive të çelësave është i ndaluar, përveç rasteve kur përdoren metoda të vlefshme verifikimi vizual.
Në këtë kuadër ligjor, Bashkia e Romës vijon të konsiderojë instalimin e kutive të çelësave si të paligjshëm, sidomos kur ato vendosen në hapësira publike ose pjesë të godinave të dukshme nga rruga.
Qytetarët protestojnë kundër shtimit të kutive të çelësave
Përhapja e kutive të çelësave ka nxitur gjithashtu reagime të forta qytetare në shumë qytete italiane, ku banorët dhe komitetet lokale denoncojnë ndikimin e qirave afatshkurtra në strukturën urbane dhe sociale.
Në Trastevere, një lagje historike e Romës, disa kuti janë sabotuar, mbuluar me ngjitëse ose postuar në rrjetet sociale si simbol proteste kundër rritjes së qirave turistike dhe mbingarkesës së turizmit.
Aksionet qytetare synojnë të tërheqin vëmendjen mbi faktin se kutitë e çelësave kontribuojnë në gentrifikim, rritje të qirave dhe zhdukjen e banesave të disponueshme për banorët historikë dhe bizneset tradicionale.
Edhe në zonat qendrore të Firences, Venecias dhe Milanos, grupet e qytetarëve kanë raportuar dhe hequr vetë kuti të dyshimta, kanë promovuar peticione online dhe kanë organizuar fushata sensibilizuese për të kërkuar më shumë kontroll nga bashkitë./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
