Hyn në fuqi dhe botohet në Fletoren Zyrtare Udhëzimi nr. 575, datë 19.11.2025, përgatitur nga Komisioni i Mbrojtjes nga Rrezatimet, i cili miraton një metodologji të re dhe të detajuar për llogaritjen e zonës kritike të shpërhapjes së rrezatimit në antenat celulare. Udhëzimi shfuqizon dokumentin e vjetër të vitit 2013 dhe vendos standarde të përditësuara, të harmonizuara me rekomandimet më të fundit të ICNIRP dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Ky ndryshim vjen në një periudhë ku rrjetet mobile, veçanërisht teknologjitë LTE Advanced, 5G dhe arkitekturat m-MIMO po rrisin ndjeshëm kompleksitetin e rrezatimit në mjedis, duke kërkuar metodologji më të sakta për vlerësimin e sigurisë së popullatës.
Sipas dokumentit, qëllimi është të garantohet një ekspozim i sigurt i publikut ndaj rrezatimeve elektromagnetike jojonizuese dhe të unifikohet mënyra e llogaritjes së distancave të sigurta. Udhëzimi mbështetet në dokumentet standard të ICNIRP (1998, 2009 dhe 2020), si dhe në rekomandimin e Këshillit të BE-së 1999/519/EC.
Kjo qasje e re është veçanërisht e rëndësishme për antenat moderne, të cilat nuk rrezatojnë më në mënyrë uniforme, por përdorin beamforming, lobë kryesorë/dytësorë dhe konfigurime dinamike të fuqisë, faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt në zonat ku rrezatimi arrin vlerat maksimale.
Çfarë është “zona kritike” e rrezatimit?
Zona kritike përkufizohet si hapësira rreth antenës ku intensiteti i fushës elektromagnetike mund të tejkalojë nivelin e referencës Smax, pra vlerën maksimale të densitetit të fuqisë së lejuar për publikun.
Dokumenti prezanton dy parametra thelbësorë për përcaktimin e kufijve: Rm – distanca e sigurisë në drejtimin e lobit kryesor të antenës; Rs – distanca e sigurisë në drejtimin e lobit dytësor.
Këto dy distanca llogariten përmes formulave të integruara në udhëzim, të cilat marrin parasysh fuqinë e transmetimit P, amplifikimin e antenës (Gm dhe Gs), dhe nivelin maksimal të lejuar të ekspozimit.
Formulat kryesore që përdoren
Formulat bazë për distancat e sigurisë janë:
Rm = √( P · 10^(0.1·Gm) / (4π · Smax) )
Rs = √( P · 10^(0.1·Gs) / (4π · Smax) )
Këto formula marrin parasysh se antenat celulare janë joizotropike, pra nuk rrezatojnë njësoj në të gjitha drejtimet, por kanë “tufa rrezatimi” që fokusohen në zona të caktuara.
Kontrolli i lartësisë së antenës, një element shtesë sigurie
Një nga rregullimet më të rëndësishme të udhëzimit është kontrolli i lartësisë së antenës (H) ndaj tokës dhe strukturave përreth.
Sipas udhëzimit, antena konsiderohet e sigurt vetëm nëse:
H ≥ MAX { Rs + 2 m , Rm · cos(ω) + 2 m } ku ω është këndi i drejtimit të rrezatimit në raport me horizontin.
Kjo sigurohet për të mbrojtur njerëzit që mund të ndodhen fizikisht pranë antenës duke llogaritur deri edhe skenarë ku një person 2 metra i gjatë mund të afrohet në zonën poshtë antenës.
Në dokument, Figurës 10 dhe 11 i dedikohet një sqarim i qartë grafik mbi gjeometrinë e zonës kritike.

Teknologjitë e reja m-MIMO dhe 5G: faktori i reduktimit F
Udhëzimi trajton edhe antenat e gjeneratës së re 5G me Multiple-Input Multiple-Output (m-MIMO) dhe beamforming, duke vendosur një faktor reduktimi të fuqisë F, i cili merret parasysh në llogaritjet e densitetit të fuqisë. Në antenat m-MIMO me TDD, rekomandohet F = 0.25.
Ky është një element shumë i rëndësishëm, sepse antenat 5G funksionojnë në mënyrë shumë më dinamike sesa ato të teknologjive më të vjetra.
Cilat janë implikimet praktike?
Së pari, operatorët do të detyrohen të kryejnë matje më të sakta. Metoda e re kërkon një vlerësim më të sofistikuar, duke marrë parasysh orientimin e antenës, karakteristikat e lobit kryesor/dytësor, fuqitë efektive (ERP/EIRP), konfigurimet elektrike dhe mekanike të tilt-it.
Së dyti, Bashkitë dhe autoritetet shtetërore do të kenë një instrument të standardizuar. Kjo metodologji unifikon mënyrën e shqyrtimit të kërkesave për vendosjen e antenave celulare nga AKEP, Ministria e Shëndetësisë, Njësitë vendore, si dhe subjektet e kontrollit mjedisor.
Së treti, transparencë më e madhe për publikun. Me këtë udhëzim, distancat e sigurisë do të jenë të qarta dhe të njëjta për çdo antenë, duke ulur perceptimet e rrezikut që shpesh shoqërojnë instalimin e antenave të reja sidomos në zonat urbane. /ekofin.al
