Sipas të dhënave të sondazhit rajonal Securimeter 2025, perceptimi për trajtimin e barabartë nga institucionet publike ndryshon ndjeshëm mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe e vendos Shqipërinë në një pozicion më pozitiv se pjesa më e madhe e rajonit, por ende larg një besimi të plotë nga qytetarët.
Në Shqipëri, 32% e të anketuarve shprehen se bien dakord, plotësisht ose pjesërisht, me pohimin se institucionet publike i trajtojnë njerëzit njësoj, ndërsa 48% qind nuk bien dakord, një shifër që përkon me mesataren rajonale të kundërshtimit, por e shoqëruar me një nivel dukshëm më të lartë besimi sesa mesatarja e Ballkanit Perëndimor, ku vetëm 24 % shprehin dakordësi.
Një veçori e Shqipërisë është edhe përqindja më e ulët e përgjigjeve “nuk di” ose “refuzoj”, çka sugjeron se qytetarët kanë formuar më qartë një qëndrim ndaj funksionimit të institucioneve.
Në kontrast, Kosova rezulton vendi me perceptimin më pozitiv në gjithë rajonin, me 38% të të anketuarve që besojnë se institucionet veprojnë në mënyrë të barabartë, ndërsa niveli i mosbesimit është dukshëm më i ulët se në vendet e tjera.
Në skajin tjetër qëndron Bosnja dhe Hercegovina, ku vetëm 14 % shprehin dakordësi dhe mbi gjysmën e qytetarëve nuk besojnë se administrata publike respekton parimin e barazisë, duke e bërë atë vendin me klimën më problematike sa i përket besimit institucional.
Serbia shfaq po ashtu një panoramë të zymtë, me 58 % që shprehen kundër idesë së trajtimit të barabartë dhe vetëm 19 % që e mbështesin atë, ndërsa Mali i Zi ndjek një prirje të ngjashme, me më shumë se gjysmën e popullatës skeptike ndaj institucioneve. Maqedonia e Veriut pozicionohet në mes, me një përqindje të konsiderueshme qytetarësh që mbeten neutralë ose të pasigurt, çka tregon një klimë më të paqartë sesa qëndrime të forta pro ose kundër.
Në këto shifra, Shqipëria dallon si vendi i dytë më pozitiv pas Kosovës, një pozicion që tregon se, pavarësisht kritikave dhe pakënaqësive të vazhdueshme, një pjesë e rëndësishme e shoqërisë shqiptare sheh shenja funksionimi të barabartë të institucioneve.
Megjithatë, fakti që pothuaj gjysma e qytetarëve nuk besojnë se trajtohen njësoj nga shteti, mbetet një sinjal i fortë se sfida e ndërtimit të besimit publik është ende e hapur dhe se reformat në drejtim të transparencës, barazisë dhe llogaridhënies mbeten thelbësore për të ndryshuar perceptimin e publikut në vitet që vijnë./ekofin.al

