Bosnjë dhe Hercegovina po investon 2.2 milionë marka (BAM) për të modernizuar sistemin e monitorimit të cilësisë së ajrit. Ministrja Federale e Mjedisit dhe Turizmit, Nasiha Pozder, ka nënshkruar kontrata me vlerë 2.19 milionë BAM (1.1 milion euro) për blerjen e pajisjeve të përditësuara që do të rrisin kapacitetet e stacioneve të rrjetit federal të monitorimit të cilësisë së ajrit, të cilat menaxhohen nga Instituti Federal Hidrometeorologjik (FHMZ). Blerja e pajisjeve financohet nga një hua e Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), si pjesë e Projektit për Përmirësimin e Cilësisë së Ajrit në Bosnjë dhe Hercegovinë, që zbatohet me mbështetjen e Bankës Botërore.
Kontratat parashikojnë blerjen e pajisjeve monitoruese të cilësisë së ajrit me vlerë 1.8 milionë BAM (rreth 920,000 euro), që do të furnizohen nga kompania E3 me seli në Sarajevë. Po ashtu, përfshihet pajisje laboratorike me vlerë 142,422 BAM (rreth 73,000 euro), e cila do të dorëzohet nga Altium International, gjithashtu në Sarajevë. Kontrata e tretë, me vlerë 218,040 BAM (111,500 euro), ka të bëjë me blerjen e pjesëve të këmbimit dhe furnizuesi kryesor është po kompania E3.
Pajisjet e reja do të mundësojnë zbatimin e plotë të programit të matjeve në të gjitha stacionet e rrjetit federal, duke përfshirë të gjithë parametrat kryesorë për vlerësimin e cilësisë së ajrit. Sistemi është zgjeruar më tej me instalimin e dy stacioneve fikse në Mostar dhe Tuzla, ndërsa FHMZ ka marrë edhe një stacion mobil për matje urgjente në terren në rast aksidentesh. Edhe laboratori i FHMZ është përmirësuar dhe tashmë ka kapacitetin për të analizuar hidrokarbure aromatike policiklike (PAH), tregues të rëndësishëm të ndotjes dhe rreziqeve për shëndetin e popullsisë. Ministria e konsideron këtë një hap të madh drejt një sistemi më modern, të besueshëm dhe më gjithëpërfshirës të monitorimit të ajrit në Federatën e BiH.
Ministria njoftoi gjithashtu se po finalizohet blerja e një sistemi të ri informacioni për cilësinë e ajrit, me vlerë 150,000 BAM (77,000 euro), që pritet të forcojë në mënyrë të ndjeshme kapacitetet digjitale të monitorimit. Softueri i ri do të mundësojë verifikim dhe validim më të shpejtë të të dhënave, paraqitje në kohë reale, menaxhim të centralizuar, ruajtje më të sigurt të të dhënave, analiza të detajuara të trendeve dhe raportim të automatizuar në Agjencinë Evropiane të Mjedisit (EEA), sipas Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit./Përshtati nga Balkan Green Energy News, ekofin.al
