Mikrofinanca në Europë vijoi zgjerimin gjatë vitit 2023, ndërsa numri i huamarrësve aktivë arriti pothuajse 1.5 milionë, duke u ndalur në 1.48 milionë klientë në fund të vitit. Rajoni i Ballkanit mbeti peshorja kryesore e tregut, pasi institucionet mikrofinanciare të tij shërbyen 47% të të gjithë huamarrësve aktivë në kontinent.
Sipas Survey Raport të vitit 2024, MFI-të e Ballkanit ofruan financim për më shumë se 700,000 klientë, ndërsa në Evropën Lindore u shërbyen 235,000 huamarrës dhe në Europën Veriperëndimore mbi 120,000. Edhe pse Ballkani mban peshën kryesore, Evropa Jugore doli nënrajoni i dytë më i rëndësishëm, duke mbuluar 29% të të gjithë huamarrësve aktivë. Kjo, kryesisht për shkak të bankës më të madhe në treg, e cila e vetme shërbeu 26% të të gjithë huamarrësve aktivë në Europë, me mbi 393,000 klientë. MFI-të e tjera të Evropës Jugore shtuan më shumë se 31,000 huamarrës në portofolin e tyre, duke e çuar shifrën totale të nënrajonit në nivele rekord.
Struktura e tregut tregon se institucionet financiare jobankare (NBFIs) ruajtën pozicionin e tyre si lojtarët më të mëdhenj, duke shërbyer 38% të huamarrësve aktivë. Bankat ndoqën me 29%, ku vetëm banka më e madhe mbante 19% të të gjithë huamarrësve, ndërsa bankat e tjera së bashku mbulonin 10%. Në terma absolutë, NBFIs përmbyllën vitin me më shumë se 517,000 huamarrës aktivë, ndërsa organizatat jofitimprurëse (OJF) regjistruan mbi 290,000 klientë.
Një analizë më e thelluar e një nëngrupi prej 52 institucionesh mikrofinanciare, të cilat dispononin të dhëna të njëpasnjëshme shumëvjeçare, evidentoi një dinamikë të fortë të portofolit të kredisë: vëllimi i tij u rrit me 23% në vitin 2023. Ky rezultat përbën një përmirësim të dukshëm krahasuar me rritjen 12% të vitit 2022 dhe 13% të vitit 2021. Ndërkohë, numri i huamarrësve aktivë u zgjerua me ritme më të moderuara, duke u rritur me 6% në vitin 2023, një hap përpara krahasuar me rritjen 1% të vitit 2022 dhe 3% të vitit 2021./ekofin.al
