Raporti i vitit 2024 mbi mikrofinancën tregon se gjysma e institucioneve mikrofinanciare (MFIs) ofrojnë ekskluzivisht mikrokredi biznesi, ndërsa një e treta e tyre adresojnë një gamë më të gjerë nevojash, duke përfshirë kredi personale dhe për nevoja familjare.
Diferencat rajonale janë të forta: në Evropën Veriperëndimore, 88% e MFIs ofrojnë vetëm mikrokredi biznesi, ndërsa në Ballkan, 68% ofrojnë vetëm kredi personale, duke e bërë rajonin një përjashtim të qartë nga trendi europian. Edhe profili institucional ndryshon: bankat dhe OJQ-të fokusohen më shumë te kreditë e biznesit, ndërsa më shumë se gjysma e kooperativave të kreditit (53%) ofrojnë vetëm mikrokredi personale.
Në total, shpërndarja tregon se 50% e institucioneve japin vetëm mikrokredi biznesi, 17% vetëm personale dhe 33% ofrojnë të dyja njëkohësisht.
Rajonet ndryshojnë ndjeshëm në angazhimin e tyre financiar
Në Evropën Jugore, 65% e MFIs ofrojnë vetëm mikrokredi biznesi, ndërsa 35% mikrokredi personale. Në Evropën Lindore raporti është më i balancuar (47% biznes dhe 26% personale), por mbizotërojnë institucionet që ofrojnë të dyja (27%). Ballkani paraqet një tablo të kundërt: vetëm 12% fokusohen te kreditë e biznesit, përkundrejt 68% që ofrojnë vetëm kredi personale.
Institucionet financiare ndjekin strategji të ndryshme kreditimi
OJQ-të dominohen nga mikrokreditë e biznesit (74%), ndërsa bankat kanë një portofol të orientuar te kreditë personale (85%). NBFIs prezantojnë një strukturë më të balancuar, me 59% të portofolit në kreditë e biznesit, 9% në personale dhe 36% në modele të kombinuara.
Mikrokreditë e biznesit përbëjnë 70% të portofolit total të kredive të MFIs në Europë. Në Evropën Veriperëndimore ato arrijnë në 89%, në Lindore 77% dhe në Jugore 71%. Ndërkohë, në Ballkan vetëm 43% e portofolit është i orientuar te biznesi, ndërsa 57% te kreditë personale.
Institucionet financiare tregojnë të njëjtin trend: bankat, OJQ-të dhe NBFIs e mbajnë pjesën më të madhe të portofolit të tyre në kreditë e biznesit (90%, 79% dhe 72%, respektivisht), ndërsa kreditë personale përbëjnë 59% të portofolit të kooperativave të kreditit.
Vetëm 39% e klientëve aktivë marrin mikrokredi biznesi, ndërsa 61% orientohen drejt kredive personale. Ballkani është rajoni me përqindjen më të lartë të huamarrësve personalë (73%), i ndjekur nga Lindja (60%) dhe Jugorja (59%). Në Veriperëndim, përkundrazi, 74% e klientëve aktivë janë huamarrës biznesi.
Huamarrësit personalë janë kryesisht të shërbyer nga kooperativat e kreditit (82%) dhe NBFIs (67%), ndërsa huamarrësit e biznesit dominojnë tek bankat (41%) dhe OJQ-të (33%).
Mikrokreditë e biznesit: kapital qarkullues dhe investime
90% e MFIs ofrojnë mikrokredi biznesi për kapital qarkullues, po aq edhe për investime. Vetëm 32% sigurojnë mikrokredi për nisjen e një biznesi, kryesisht në Evropën Jugore. Vetëm një pjesë e vogël e institucioneve kanë më shumë se 50% të portofolit të tyre të biznesit të orientuar drejt start-up-eve, ndërsa shumica e institucioneve nuk ofrojnë fare produkte të tilla.
Kreditë personale: konsumi dhe përmirësimi i banesës dominojnë portofolin
Kreditë personale përdoren kryesisht për konsum (56% e MFIs) dhe për përmirësimin e banesës (63%). Këto të fundit mbajnë peshën më të madhe në mbi gjysmën e portofolit për 38% të institucioneve.
Qëllime të tjera përfshijnë mobilitetin (38%); aksesin në strehim (38%) zhvillimin profesional (31%); shpenzimet mjekësore (31%); kreditë studentore (25%); edukimin e fëmijëve (19%)
Në disa institucione, mbi gjysma e portofolit është e orientuar drejt një qëllimi të vetëm, si përmirësimi i banesave apo kreditë e konsumit.
Tregu evropian i mikrokredisë mbetet i fragmentuar, me dallime të forta rajonale
Të dhënat tregojnë se mikrokreditë në Evropë nuk ndjekin një model unik, por formësohen nga karakteristikat socio-ekonomike të secilit rajon. Veriperëndimi dominon me kreditë e biznesit dhe klientë sipërmarrës, ndërsa Ballkani mbetet një treg i orientuar drejt konsumit dhe nevojave të familjeve. Institucionet financiare, sipas llojit, ruajnë modele të ndryshme risku dhe fokusimi, duke bërë që mikrofinanca europiane të jetë shumë e larmishme, si për produktet, ashtu edhe për klientët që shërben.
Në thelb, mikrokreditë vazhdojnë të jenë një instrument kyç për mbështetjen e ekonomisë së vogël, por me prioritetet që ndryshojnë ndjeshëm në të gjithë kontinentin. /ekofin.al
