Ministria e Financave ka miratuar Manualin e ri të Auditimit të Brendshëm në sektorin publik, një dokument voluminoz dhe tërësisht të rishikuar, i cili zëvendëson manualin ekzistues të vitit 2016. Urdhri i Ministrit të Financave, Petrit Malaj, i botuar në Fletoren Zyrtare e shfuqizon plotësisht metodologjinë e mëparshme dhe e zëvendëson atë me një kornizë të re që hyn në fuqi nga 1 janari 2026. Ky është ndryshimi më i thellë procedurial dhe teknik në fushën e auditimit të brendshëm në administratën publike gjatë nëntë viteve të fundit.
Një manual i rishkruar nga e para
Dokumenti i ri nuk është një përditësim i thjeshtë, por një ristrukturim i të gjithë arkitekturës së auditimit të brendshëm. Ndryshe nga manuali i vitit 2016, i cili kishte një qasje më të përgjithshme dhe shpesh të fragmentuar, manuali 2025 sjell një strukturë krejtësisht të re, të ndërtuar mbi standardet ndërkombëtare të Institute of Internal Auditors (IIA), si dhe mbi harmonizimin me acquis të Bashkimit Europian. Qasja e re fokusohet te auditimi i bazuar në risk, modernizimi teknologjik, roli i kontrollit të cilësisë dhe rritja e përgjegjshmërisë së strukturave menaxheriale.
Pse duhej një manual i ri?
Pas vitit 2016, legjislacioni shqiptar për auditimin e brendshëm pësoi disa ndryshime, ndërsa standardet ndërkombëtare të IIA kanë hyrë në një cikël të ri reformash, sidomos pas publikimit të kornizës IPPF 2024. Këto zhvillime kërkuan hartimin e një manuali të ri.
Në këtë kuadër, Ministria e Financave ka ndërmarrë një reformë të thellë metodologjike, me qëllim që auditimi i brendshëm të mos jetë thjesht një proces formal, por një instrument real i qeverisjes së mirë dhe i llogaridhënies.
Auditimi i bazuar në risk si bosht i metodologjisë së re
Ndryshimi më i dukshëm është vendosja e auditimit të bazuar në risk si bazë e të gjithë planifikimit dhe kryerjes së auditimeve. Manuali i ri detyron njësitë e auditimit të hartojnë një univers risku për çdo institucion; të përdorin matrica dhe indikatorë të standardizuar për vlerësimin e riskut; të lidhin planet vjetore me riskun rezidual të aktiviteteve; si edhe të dokumentojnë në mënyrë të detajuar burimet e riskut dhe ndikimet e mundshme.
Në manualin e vitit 2016, auditimi i bazuar në risk ekzistonte vetëm si koncept teorik, ndërsa tani ai shndërrohet në kërkesë të detyrueshme me mekanizma të qartë matës.
Proces auditimi shumë më i strukturuar
Manuali i ri përshkruan me hollësi të gjitha fazat e auditimit – nga planifikimi deri te raportimi final dhe monitorimi i rekomandimeve. Çdo fazë ka procedura të standardizuara, që kanë të bëjnë me një paravlerësim dhe analizë paraprake; identifikim të kontrolleve kyçe; testime të dizajnit dhe efektivitetit të kontrolleve; dokumentim në formatet e reja të dosjeve të punës; analizë të gjetjeve sipas kritereve (shkak, efekt, rekomandim); si edhe konsolidim të provave përmes metodave tradicionale dhe digjitale.
Risi është edhe përfshirja e qartë e analizës së të dhënave (data analytics) si metodë audituese, duke u përshtatur me realitetin e informatizuar të administratës.
Kontroll i detyrueshëm cilësie dhe vlerësim i pavarur
Manuali i ri fut standardet e kontrollit të cilësisë, të cilat në manualin e vjetër ishin të kufizuara dhe jo të detyrueshme. Tashmë kërkohet vlerësim i brendshëm i cilësisë i kryer çdo vit; vlerësim i jashtëm i pavarur çdo pesë vjet; matje e performancës së audituesve përmes treguesve specifikë;
dokumentim i plotë i çdo rishikimi të cilësisë.
Kjo e afron administratën publike shqiptare me praktikat e vendeve të BE-së në procedurat audituese dhe ndihmon në rritjen e profesionalizmit dhe besueshmërisë institucionale.
Roli i ri i menaxhimit – më shumë përgjegjësi për rekomandimet
Manuali e forcon qartësisht raportin mes audituesve dhe strukturave drejtuese. Nga 1 janari 2026, drejtuesit e njësive publike janë të detyruar të ndjekin dhe dokumentojnë zbatimin e rekomandimeve; auditimi i brendshëm kryen verifikim të strukturuar të progresit; rekomandimet pajisen me afate dhe përgjegjës individualë; raportimet e moszbatimit i kalojnë Drejtorisë së Harmonizimit në Ministrinë e Financave.
Ky është një prej ndryshimeve më të rëndësishme praktike, pasi deri tani implementimi i rekomandimeve shpesh mbetej në vullnetin e njësive.
Rregulla më të forta për etikën dhe konfliktin e interesit
Manuali i ri ka një kapitull të gjerë të dedikuar etikës dhe pavarësisë profesionale, me deklarime të detyrueshme të konfliktit të interesit për çdo auditim; ndalimin e auditimit të fushave ku audituesi ka pasur përgjegjësi të drejtpërdrejtë; rotacion të audituesve në auditimet me risk të lartë; si edhe rregulla të harmonizuara me Kodin e Etikës së IIA-s. Në manualin e vitit 2016 këto dispozita nuk ishin të detajuara në mënyrë të njëtrajtshme.
Bashkëpunim i strukturuar me KLSH-në dhe auditimet ndër-institucionale
Një tjetër risi e këtij dokumenti është përcaktimi i qartë i bashkëpunimit ndërmjet njësive të auditimit të brendshëm dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit. Manuali i ri parashikon shkëmbim informacioni mbi planet vjetore; njoftim të ndërsjellë për auditimet në proces; shmangie të mbivendosjeve në objektet e auditimit; mundësi për auditime tematike sektoriale. Ky harmonizim rrit efikasitetin e burimeve dhe shmang auditimet paralele në të njëjtat fusha.
Nga janari, institucionet duhet të përshtaten me kornizën e re
Manuali i ri është i detyrueshëm për të gjitha institucionet publike që bien nën ligjin nr. 114/2015 “Për auditimin e brendshëm në sektorin publik”. Kjo nënkupton se deri në fund të vitit 2025, njësitë e auditimit duhet të riformatojnë dokumentet e tyre; audituesit duhet të trajnohen në metodologjinë e re; institucionet duhet të kryejnë vlerësimin e riskut sipas kërkesave të reja; planet vjetore 2026 duhet të hartohen sipas manualit të rishikuar. /ekofin.al
