Intervistë me drejtoreshën e projekteve pranë Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, znj. Aris Tasho.
Çfarë është projekti “1FUTURE” dhe cilat kanë qenë objektivat?
–Projekti 1FUTURE synon të përmirësojë kapacitetet rajonale për zbatimin e objektivave të Marrëveshjes së Gjelbër (GreenDeal) brenda sistemit të arsimit të lartë. Ky projekt bazohet në nevojat dhe ambicien për të udhëhequr veprimet për klimën në institucionet e arsimit të lartë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.Në kuadër të projektit, universitetet e rajonit do të shërbejnë si mekanizmi lidhës mes aktorëve të ndryshëm, me synimin për të ndërtuar komunitete të qëndrueshme dhe të rezistente ndaj ndryshimeve klimatike.
Si ka rezultuar bashkëpunimi me institucionet arsimore, biznes, organizatat e mjedisit dhe qeveri?
–Bashkëpunimi ka qenë i frytshëm dhe në rritje, por sigurisht që mbetet një proces që kërkon përmirësim të vazhdueshëm. Projekti ka ndihmuar ndjeshëm në afrimin e institucioneve të arsimit të lartë me sektorin e biznesit, me organizatat që veprojnë në fushën e mjedisit dhe me strukturat publike që merren me politikat e zhvillimit të qëndrueshëm.
Nëpërmjet aktiviteteve të projektit, është krijuar një dialog më i qëndrueshëm midis universiteteve, sipërmarrjeve dhe institucioneve publike, duke forcuar kulturën e bashkëpunimit. Megjithatë, duhet pranuar që rrugëtimi drejt një bashkëpunimi të plotë “triple/quadruple helix”, ku akademia, biznesi, qeveria dhe shoqëria civile bashkëveprojnë në mënyrë të integruar është ende në zhvillim, dhe mendoj që secili prej nesh duhet të jetë më i hapur për të ndërtuar komunikim dhe ndërveprim në përditshmëri.
Projekte si 1FUTURE dhe nisma të tjera të viteve të fundit kanë treguar qartë që zgjidhjet për qëndrueshmërinë dhe tranzicionine gjelbër nuk mund të vijnë vetëm nga një sektor. Nevojitet një qasje më e hapur, me bashkëpunim të qëndrueshëm ndërmjet arsimit, inovacionit, tregut dhe politikëbërjes.
Në këtë kuptim, projekti ka mundësuar për të krijuar modele bashkëpunimi që mund të zhvillohen më tej dhe të kthehen në politika afatgjata për rajonin.
Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha në implementimin e këtij projekti?
–Si çdo projekt ndërkombëtar që përfshin shumë partnerë dhe nivele të ndryshme institucioneve, edhe projekti është përballur me disa sfida që kanë shërbyer njëkohësisht si mësime të vlefshme.
Së pari, një nga sfidat më të mëdha ka qenë harmonizimi i qasjeve midis universiteteve dhe institucioneve partnere, pasi çdo vend në rajon ka struktura, prioritete dhe ritme të ndryshme në drejtim të zhvillimit të gjelbër dhe klimatik. Ka qenë e nevojshme të gjendet një gjuhë e përbashkët dhe një mënyrë bashkëpunimi që i përshtatet realitetit të secilit partner.
Së dyti, angazhimi i aktorëve të jashtëm, si bizneset dhe organizatat lokale, shpesh kërkon më shumë kohë dhe ndërmjetësim. Jo të gjitha kompanitë janë të ndërgjegjshme për rëndësinë e qëndrueshmërisë, ndërsa bashkëpunimi midis akademisë dhe sektorit privat ende po konsolidohet, sfidë kjo që lihet dhe me mungesën e burimeve njerëzore.
Megjithatë, pikërisht këto sfida kanë bërë që partneriteti të forcohet. Sot kemi më shumë bashkëpunim praktik, më shumë ndërveprim mes arsimit dhe biznesit, dhe mbi të gjitha, një vullnet të përbashkët për të ndërtuar një model rajonal të zhvillimit të gjelbër që shkon përtej kufijve institucionalë.
Si mund të kontribuojë secili prej nesh, si qytetarë, studentë apo profesionistë, në forcimin e kulturës së qëndrueshmërisë që promovon projekti “1FUTURE”?
–Çdo ndryshim i madh fillon me hapa të vegjël dhe 1FUTURE e thekson pikërisht këtë, që qëndrueshmëria nuk është vetëm përgjegjësi institucionale, por një kulturë që ndërtohet çdo ditë nga secili prej nesh.
Si qytetarë, mund të fillojmë nga zgjedhjet tona të përditshme: si konsumojmë, si udhëtojmë, si kursejmë energji apo si trajtojmë mbetjet. Si studentë, mund të kontribuojmë duke kërkuar më shumë edukim mbi temat e gjelbra, duke marrë pjesë në projekte apo ide inovative që lidhen me mjedisin dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Ndërsa si profesionistë dhe biznese, kemi rolin e rëndësishëm për të sjellë këto parime në praktikë, në menaxhimin e burimeve, në strategjitë e punës, në mënyrën si ndërtojmë produkte e shërbime me ndikim pozitiv social dhe mjedisor.
Kultura e qëndrueshmërisë forcohet kur secili ndien se kontributi i tij, sado i vogël, ka vlerë reale. Dhe ky është qëllimi i projektit, të frymëzojë një brez të ri qytetarësh, studentësh dhe profesionistësh që mendojnë e veprojnë në mënyrë të përgjegjshme për të ardhmen.
Për ju, si drejtoreshë e projekteve pranë Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, çfarë ju motivon personalisht të angazhoheni në çështjet e klimës dhe qëndrueshmërisë?
–Për mua, qëndrueshmëria nuk është vetëm një objektiv profesional, por një mënyrë të menduari që lidhet me respektin për njerëzit, natyrën dhe zhvillimin e ekuilibruar të shoqërisë sonë, me mënyrën si jetojmë e bashkëpunojmë si komunitet.
Si Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, ne e shohim këtë përgjegjësi si pjesë të misionit tonë, të udhëheqim tranzicionin e bizneseve drejt një ekonomie më të gjelbër dhe më të qëndrueshme. Përmes projekteve, trajnimeve dhe partneriteteve ndërkombëtare, synojmë të mbështesim sipërmarrjet shqiptare që të përshtaten me standardet e reja mjedisore, të inovojnë dhe të kuptojnë se investimi në qëndrueshmëri është një investim në vetë qëndrueshmërinë e tyre ekonomike. Sepse zhvillimi i gjelbër nuk është vetëm një detyrim ndaj mjedisit, por edhe një mundësi e re për rritje, punësim dhe bashkëpunim afatgjatë.
Nisur nga eksperienca juaj, a mendoni se Shqipëria ka bërë progres në këtë drejtim?
–Po, Shqipëria ka bërë përparime të dukshme në drejtim të ndërgjegjësimit dhe integrimit të temave të qëndrueshmërisë në politika dhe programe zhvillimi, sidomos gjatë viteve të fundit. Shohim gjithnjë e më shumë iniciativa që lidhen me ekonominë e gjelbër, eficiencën energjetike dhe edukimin për mjedisin. Megjithatë, ky është ende një proces që kërkon kohë dhe angazhim të vazhdueshëm. Sfida qëndron te kalimi nga strategjitë dhe dokumentet në veprime konkrete në terren, sidomos në nivel lokal dhe në sektorin privat. Prandaj roli i projekteve si 1FUTURE është thelbësor, ato krijojnë ura bashkëpunimi mes universiteteve, bizneseve dhe institucioneve publike, duke e bërë tranzicionin e gjelbër një proces real dhe të prekshëm.
Cili është mesazhi juaj për universitetet dhe bizneset që ende nuk janë përfshirë në nisma të tilla për klimën?
–Mesazhi im për universitetet dhe bizneset që ende nuk janë përfshirë në nisma për klimën është i thjeshtë: mos prisni që ndryshimi të vijë nga të tjerët. Ai fillon nga ne. Çdo organizatë, e madhe apo e vogël, ka mundësinë të bëjë diçka, të edukojë, të përshtasë mënyrën e punës, të reduktojë mbetjet apo të investojë në zgjidhje më të qëndrueshme. Universitetet kanë rolin e tyre në formimin e brezit të ri me mendësi të gjelbër, ndërsa bizneset janë fuqia që mund ta kthejë këtë vizion në praktikë. Vetëm duke bashkuar dijen me veprimin mund të ndërtojmë ekonomi më të forta, më të përgjegjshme dhe më konkurruese në të ardhmen.Në fund të ditës, qëndrueshmëria nuk është një luks, është mënyra e vetme për të ecur përpara me mençuri.
