Leku ka vijuar të mbetet në territor të fortë edhe gjatë tremujorit të tretë të vitit 2025, duke zbritur në nivelin mesatar prej 97.1 lekësh për euro në muajin shtator, nga 98.1 lekë që ishte në qershor. Kjo lëvizje konfirmon se tendenca e forcimit të monedhës vendase është ende aktive, por ndërkohë është dukshëm më e moderuar se në vitet e mëparshme kur ritmet e mbiçmimit ishin shumë më të larta. Në terma vjetorë, leku është mbiçmuar me rreth 2.5% ndaj euros, ndërsa në javët e para të tetorit kuotimi ka luhatur rreth 96.7 lekëve, pa luhatje të forta dhe pa sinjale të presioneve të pazakonta në treg.
Stabiliteti i lekut shpjegohet kryesisht me ofertën e lartë valutore që vijon të hyjë në ekonomi përmes tregtisë, shërbimeve dhe flukseve të investimeve të huaja direkte. Për gjysmën e parë të vitit, deficiti i llogarisë korrente ka qenë vetëm 4.3% e PBB-së, ndërsa investimet e huaja hyrëse kanë mbuluar 135% të këtij deficiti, një tregues i fortë se hyrjet valutore mbeten të bollshme dhe ushqejnë presion mbi kursin. Ndërkohë, vëllimi i tregtimit në tregun valutor është rritur me ritme të larta, duke arritur një mesatare vjetore rritjeje prej 24.4% në tremujorin e tretë, nga vetëm 8% që ishte në gjysmën e parë të vitit. Ky intensifikim i tregtimeve valutorë ka ecur në linjë me rritjen e tregtisë së jashtme dhe shërbimeve, duke reflektuar një kërkesë të qëndrueshme për shkëmbime monetare dhe duke mbajtur tregun aktiv, por të qetë.
Banka e Shqipërisë vlerëson se luhatshmëria e kursit të këmbimit ka mbetur e ulët dhe parametrat e tregut valutor janë të qëndrueshëm. Spread-et – diferenca mes çmimeve të blerjes dhe shitjes së euros – kanë qëndruar pranë niveleve të tyre historike, duke reflektuar një treg funksional, pa tensione dhe me besim të qëndrueshëm nga operatorët. Ky stabilitet është ndihmuar edhe nga ndërhyrjet balancuese të Bankës së Shqipërisë, të cilat nuk synojnë të ndryshojnë trendin, por të shmangin luhatjet e forta që mund të krijonin pasiguri në treg dhe efekt domino në çmime, financime dhe pritjet e bizneseve.
Ndërkohë, dollari amerikan ka shënuar një rënie të ndjeshme kundrejt lekut. Kursi USD/LEK ka zbritur në 82.7 lekë në shtator, nga 85.1 lekë në qershor. Rënia prej 2.8% e monedhës amerikane në këtë periudhë lidhet më shumë me dobësimin e dollarit në tregjet ndërkombëtare sesa me faktorë të brendshëm. Në tetor, dollari ka vijuar të tregtohet rreth 83 lekë, rreth 8.2% më poshtë se niveli i një viti më parë, duke reflektuar efektet e politikave monetare dhe pritjeve për një qëndrim më lehtësues të Rezervës Federale.
Ngadalësimi i ritmit të mbiçmimit të lekut këtë vit lidhet edhe me normalizimin e flukseve të turizmit pas dy vitesh rritjeje të jashtëzakonshme, si dhe me një ekuilibër më të natyrshëm midis kërkesës dhe ofertës për valutë. Tregu i brendshëm është më i qëndrueshëm, prurjet valutore janë të mëdha, por jo më me ritmet e jashtëzakonshme të viteve 2022–2024, dhe ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë kanë luajtur rol për të shmangur forcime të shpejta që mund të krijonin disbalanca në ekonomi.
Në tërësi, kursi i këmbimit ka mbetur i fortë, i qëndrueshëm dhe pa luhatshmëri të tepruar. Perspektiva e tij, sipas Bankës së Shqipërisë, pritet të jetë më e balancuar në vijim, me një kontribut më të moderuar në ecurinë e inflacionit dhe pa ritmet e forta të mbiçmimit që janë parë në dy vitet e mëparshme. Monedha vendase mbetet e fortë, por tashmë me një dinamikë më të butë, më të parashikueshme dhe më të lidhur me fundamentet e ekonomisë sesa me goditje të jashtëzakonshme. /ekofin.al
