Menjëherë sapo mori zyrtarisht detyrën e kryetarit të Bashkisë Shkodër, Benet Beci ka nisur punën me pastrimin e qyetit nga inertet dhe mbetjet e rrugëve kryesore. Angazhimi i tij nuk ka kaluar pa i rënë në sy Kryeministrit Edi Rama, i cili ka publikuar pamje nga qyteti.
Rama shkruan se “Shkodra e pastër, prioriteti i parë i emergjencës, ka nisur të jetësohet nga Beneti për çlirimin e çdo rruge të qytetit nga regjimi i plehrave që mbulonin kazanët”.
Kreu i Bashkisë së Shkodrës, Bene Beci i cili u betua të hënën për marrjen e kësaj detyre ka theksuar se pastërtia në të gjithë territorin e veçanërisht në zonat turistike, është domosdoshmëri jo vetëm për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve e të mjedisit, por parakusht për zhvillimin e turizmit.
Ndërsa një ditë më parë, Bashkia Shkodër njoftoi të gjithë individët dhe subjektet private të marrin masa për të liruar hapësirat publike të zëna padrejtësisht. Sipas ligjit, koha në dispozicion për kryerjen në mënyrë vullnetare është deri me datë 26.06.2023.
“I referohemi këtu përkatësisht trotuareve, shesheve publike, mjediseve të gjelbra dhe parkimeve publike. Ato duhen çliruar nga çdo mjet që pengon përdorimin e hapësirave të përbashkëta, si karrige, goma, blloqe betoni, vazo lulesh apo sende të tjera. Gjithashtu i referohemi lirimit të rrugëve e trotuareve nga podet e karriget e vendosura aty nga subjekte që s’kanë lidhur kontratë me Bashkinë për përdorimin e këtyre hapësirave. Në përfundim të këtij afati pesëditor, Bashkia do të ndërhyjë për lirimin e tyre me strukturat përkatëse dhe forcën që i jep ligji, në zbatim të ligjit nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjes Vendore”, ligjit nr. 89/2022 “Për Policinë Bashkiake”, njofton Bashkia Shkodër.
