Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar Bankën e Shqipërisë si një nga institucionet më të konsoliduara dhe më të besueshme të shtetit shqiptar.
Në Konferencën me rastin e 100 vjetorit të themelimit të BSH, kreu i qeverisë shqiptare deklaroi se ky është një institucion që na përfaqëson si një model i asaj që duhet të jenë institucionet e pavarura të vendit.
Sipas tij, nuk është e lehtë të thuhet e njëjta gjë për shumë institucione të tjera të cilat ende janë “në proces formimi dhe konsolidimi”.
“Mendoja që BSH është në mos i vetmi ndër shumë të paktit institucione të Republikës sonë që mund të quhet i tillë me plot gojën, institucion. Në atë kuptim dhe me ato standarde që kemi parasysh kur flasim për institucionet që i duhen një vendi dhe që bëjnë që ky vend të përmbushë kriteret e të qenit një vend në botën e zhvilluar dhe tryezën e BE. Nuk është e lehtë të thuhet e njëjta gjë për institucione të tjera që janë në formim e sipër.
Do të ishte e dobishme, që historia e zhvillimit dhe e përpjekjeve të BSH për tu formësuar dhe konsoliduar si institucion të merrej përsipër dhje të shkruhej për tu dhënë të tjerëve një pasqyrë si u ngrit një institucion i tillë që sot është një institucion i integruar në botën ku jetojmë, dëshmi e thjeshtë e këtij fakti ishin edhe dy adresimet e bërë nga dy personalitete që përfaqësojnë botën e zhvilluar ku operon BSH.
Fara e mbjellë në 1913 bëri që BSH të lindte dhe edhe pse historia edhe me BSH nuk ka qenë bujare ashtu si me gjithë institucionet e tjera, e përsëris që për arsye që do duhej të studioheshin, ky është një institucion që na përfaqëson si një model i asaj që duhet të jenë institucionet e pavarura të vendit”, tha ndër të tjera kryeministri Rama.
Tensionet gjeopolitike, inovacioni financiar dhe konkurrenca” – Guvernatori Sejko rendit sfidat: Tejkalimi i tyre nga oportunitetet që ofron anëtarësim në BE
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka vlerësuar se ekonomia shqiptare përballet sot me tre sfida kryesore, të cilat kërkojnë politika të kujdesshme dhe përshtatje me realitetet e reja globale.
Në konferencën shkencore me rastin e 100-vjetorit të Bankës së Shqipërisë, Sejko tha se sfida e parë lidhet me rritjen e tensioneve gjeopolitike në arenën ndërkombëtare, të cilat kanë sjellë një “realitet të ri ekonomik” me barriera më të larta tregtare dhe lëvizje më të kufizuara të kapitalit.
Ai deklaroi se “rreziqet që vijnë nga këto sfida tejkalohen si në cilësi dhe sasi nga oportunitetet që ofron procesi i anëtarësimit në BE”.
Gent Sejko: Sfida e parë është rritja e tensioneve gjeopolitike në ambientin e huaj. Rritja e barrierave tregtare janë një realitet i ri ekonomik.
Sfida e dytë është inovacioni i shpejtë financiar. Gjatë dekadës së fundit ne jemi bërë dëshmitarë të një revolucioni të shpejtë financiar i cili ka potencialin të tranformojë këtë industri. Dixhitalizimi i sistemit të pagesave dhe përdorimi i teknologjisë ka përfitimet dhe rreziqet e veta.
Sfida e tretë ka të bëjë me vetë stadin e zhvillimit të Shqipërisë. Si një vend me të ardhura të mesme Shqipëria është e ekspozuar ndaj një konkurrence më të fortë për kapital e fuqi punëtore në tregun evropian. Shqipërisë i duhet të bazojë më shumë modelin e zhvillimit te rritja e produktivitetit dhe avantazheve të saj krahasuese. Kjo sfide e fundit bëhet edhe me komplekse në prani të trendëve të pafavorshme demokratike që vendosin një premiom të lartë për fuqi punëtore të kualifikuar.
Rreziqet që vijnë nga këto sfida tejkalohen si në cilësi dhe sasi nga oportunitetet që ofron procesi i anëtarësimit në BE.
Drejtoresha e FMN: Shqipëria, mes vendeve me rritjen ekonomike më të shpejtë në Europë

Një urim me rastin e 100-vjetorit të Bankës së Shqipërisë erdhi edhe nga Kristalina Georgieva, Drejtoresha e Përgjithshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ajo tha se ky përvjetor nuk është thjesht një rast për të festuar jetëgjatësinë e Bankës së Shqipërisë, por gjithashtu një testament i qëndrueshmërisë së institucionit dhe vizionit të tij.
Georgieva theksoi se ndër vite, banka qendrore në Shqipëri ka pasqyruar evoluimin e vetë shtetit shqiptar. Ajo u shpreh se vendi është përballur me goditje ekonomike, ndryshime politike dhe ndikime të zhvillimeve globale. Por sot, Shqipëria ndodhet mes shteteve me rritjen ekonomike më të shpejtë në europë dhe një rol kyç në këtë e ka pasur Banka e Shqipërisë.
“Sot Shqipëria renditet midis vendeve me rritjen ekonomike më të shpejtë në Europë. Bravo! Testament i progresit të palëkundur dhe qëndrueshmërisë së saj gjithnjë e në rritje. Në këtë arritje Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol kyç. Falë angazhimit të palëkundur ndaj politikës monetare të qëndrueshme kuadrit rregullativ të kujdesshëm dhe transparencës institucionale”, tha drejtoresha e FMN-së.
Ajo theksoi se banka ka hedhur një themel të fortë për rritjen ekonomike dhe qëndrueshmërinë e vendit.
“Rrugëtimi i Shqipërisë na ofron një mësim kyç. Pavarësia e bankave qendrore është shumë më tepër se një teknikalitet formal. Ajo është gur themeli e qëndrueshmërisë kombëtare”, theksoi ajo.
Gjithashtu përmendi edhe sfidat e Shqipërisë në vijim që janë fragmentimi gjeopolitik në rritje, transformimi i shpejtë digjital, roli i inteligjencës artificiale dhe zhvendosje demografike. Georgieva nënvizoi se FMN-ja do vijojë të mbështesë Shqipërinë.
“Shqipëria është e vendosur t’i bashkohet BE dhe ka bërë përparime të qëndrueshme drejt këtij objektivi. Në këtë kontekst Banka e Shqipërisë ka një rol thelbësor, të përkushtuar dhe me vizion të qartë në këtë rrugë sfiduese për të mbështetur vendin në shfrytëzimin e mundësive që ofron anëtarësimi në një periudhë transforimi të thellë të ndryshimeve globale. FMN do vijojë të jetë partnere e palëkundur në këtë udhëtim, duke mbështetur Shqipërinë me këshilla”, tha ajo.
Christine Lagarde: Banka Qendrore Evropiane mbështet vendet e Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin në BE

Presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, mbajti sot një fjalim përmes një video lidhjeje në konferencën për 100 vjetorin e Bankës së Shqipërisë.
Lagarde tha se Banka Qendrore Evropiane mbështet bankat qendrore të vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt integrimit evropian.
Duke u ndalur te vendi ynë Lagard tha se Banka e Shqipërisë ka përjetuar një ndryshim të jashtëzakonshëm në 100 vitet e para të saj, teksa theksoi se ky shekull është mundësi reale për të reflektuar mbi të kaluarën e Bankës Qendrore dhe të ardhmen e vendit.
Sakaq ajo nënvizoi se është thelbësore që Shqipëria të mbajë një angazhim të palëkundur drejt politikave monetare.
Christine Lagard: Banka e Shqipërisë ka përjetuar një ndryshim të jashtëzakonshëm në 100 vitet e para të saj. Ky shekull është mundësi reale për të reflektuar mbi të kaluarën e Bankës Qendrore dhe të ardhmen e vendit.
Ngjarjet e rëndësishme të shekullit 20 nga luftërat botërore deri në vendosjen e komunizmit në lindje të gjithë përfshijnë Shqipërinë dhe institucionet e saj.
Në fillim të viteve 90’ me tranzicionin drejt demokracisë, inflacioni u rrit shumë shpejt duke tejkaluar 200% në vitin 1992.
Banka Qendrore u përball me një nga sfidat e saj më të mëdha, rivendosja e stabilitetit monetar dhe eci para duke e përballur drejt për drejt atë sfide, duke rritur normat e interesit dhe për ti sjellë normat reale në territor pozitiv me qëllim uljen e inflacionit. Pavarësisht krizave globale, Shqipëria doli më e fortë nga këto sfida falë veprimeve të Bankës Qendrore për të ruajtur stabilitetin financiar ndër vite.
Më tej Lagard tha se Shqipëria është përballur me sfida edhe vitet e fundit, por Shqipëria ka dalë e fortë prej tyre edhe falë veprimeve të Bankës.
Lagard: Shqipëria përjetoi goditje gjatë kësaj periudhe. Kriza financiare globale i la bankat e mëdha me kapital të huaj në vend me një nivel të lartë të kredive me probleme. Pavarësisht kësaj, Shqipëria doli më e fortë nga këto sfida pjesërisht falë veprimeve të bankës qendrore, për të ruajtur stabilitetin financiar ndër vite. Ajo miratoi rregulloret për shtesat e kapitalit, për raportimin e mbulimit me likuiditet. Gjithashtu në fillim të këtij viti ka nisur zbatimi i masave makroprodenciale për të kontrolluar rreziqet e mundshme që mund të vijë nga tregu i banesave.

