Paga minimale, duke nisur nga data 1 janar e vitit të ardhshëm, do të rritet në 500 euro si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, ndërsa biznesi do të subvencionohet për 9 muaj për mbulimin e kostos së kontributeve.
Kryeministri Edi Rama, në podkastin “Flasim-Kandidati”, bëri të ditur se nga kjo rritje e pagës minimale do të përfitojnë rreth 10600 punonjës të shërbimeve.
“Sipas projektbuxhetit 2026, do të ketë një rritje të rëndësishme të zotuar gjatë fushatës zgjedhore dhe që do të zbatohet nga 1 janari 2026. Kjo rritje do të përfshijë 307850 punonjës të regjistruar, në sektorin shtetëror dhe privat, të cilët do të marrin një pagë minimale prej 500 eurosh. Me ligj, askush nuk do të ketë më një pagë më të ulët se kjo. Nuk do të jetë rritja e fundit, por vetëm e para, pasi gjatë mandatit të katërt paga minimale do të arrijë në 700 euro, ashtu siç kemi premtuar”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se qeveria do të mbështesë bizneset për përballimin e kostove që sjell kjo politikë për 9 muajt e parë.
“Qeveria do të subvencionojë për 9 muajt e parë me 90 milionë euro shtesën e kostos së sigurimeve për të punësuarit në sektorin privat, të cilët do të kenë një pagë minimale prej 500 eurosh”, tha ai.
Rama foli edhe për pensionistët ku u shpreh se “përveç se do të marrin këtë dhjetor bonusin e plotë të fundvitit, duke filluar nga janari do të kenë një rritje tanimë të shtrirë muaj për muaj, bazuar mbi logjikën e bonusit, por mbi indeksimin e përvitshëm”. Kryeministri siguroi se ky do të jetë një moment që do të vazhdojë vit pa vitit dhe pensioni do të rritet duke u përputhur me objektivat ambicioz të vendosura dhe të shpallura gjatë fushatës elektorale.
Konkretisht, Rama tha se pensioni urban me vite të plota të punës do të shkojë në 40 mijë lekë të reja nga 27 350 që është sot.
“Pensioni urban i pjesshëm do të shkojë mesatarisht 22 mijë lekë të reja nga 15 850 lekë që është sot; pensioni rural do të shkojë në 18 mijë letë të reja nga 11 500 lekë që është sot; pensioni familjar do të shkojë 18 mijë lekë të reja nga 11 400 që është sot; pensioni i invaliditetit do të shkojë në 30 mijë lekë të reja nga 20 mijë që është sot”, tha Rama
Duke u nisur nga janari 2026, Rama tha se pensionet do të rriten çdo muaj dhe këtu nuk hyn indeksimi vjetor që do të jetë gjë tjetër dhe do të vijojë normalisht vit pas viti.
“Pensioni urban me vitet e plota të punës do të rritet 1800 lekë të reja; pensioni urban i pjesshëm do të rritet me 800 lekë të reja; pensioni rural do të rritet me 1 mijë lekë të reja; pensioni familjar me 700 lekë të reja dhe i invaliditetit me 600 lekë të reja”, tha Rama.
Në vitet në vijim, kryeministri theksoi se projeksioni financiar dhe i dakordësuar në të gjithë procesin e buxhetimit do të jetë në shifra të dyfishuara për secilën kategori në vitin 2027, të trefishuara në vitin 2028, të katërfishuara në vitin 2029 dhe pastaj të pesëfishuara në vitin 2030.
