Banka e Shqipërisë çeli sot punimet e workshop-it të 19-të të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore, një forum që prej pothuaj dy dekadash shërben si platformë rajonale për analizë dhe debat mbi zhvillimet ekonomike e monetare. Në fjalën e tij të hapjes, Guvernatori Gent Sejko theksoi se kërkimi shkencor është një shtyllë themelore për ndërtimin e politikave efektive, duke nënvizuar se “kërkimi nuk është luks, por një domosdoshmëri”.
Sejko vlerësoi kontributin e folësve ndërkombëtarë nga Johns Hopkins University, Banka Qendrore Evropiane dhe Rezerva Federale e SHBA, duke theksuar rëndësinë e shkëmbimit të dijeve dhe përvojave midis institucioneve.
Sipas tij, ekonomitë moderne përballen me një mjedis gjithnjë e më kompleks — të karakterizuar nga pasiguri gjeopolitike, zhvillime teknologjike të vrullshme, transformime demografike dhe ndryshime strukturore në tregun e punës.
“Këto sfida kërkojnë analiza të thelluara, kuptim më të mirë të ndërveprimeve ndërsektoriale dhe politika të bazuara në prova,” – u shpreh Sejko.
Ai nënvizoi se Banka e Shqipërisë ka investuar ndjeshëm në ndërtimin e një ekosistemi kërkimor të qëndrueshëm, që mbështet jo vetëm politikën monetare dhe makroprudenciale, por edhe hartimin e strategjive afatgjata për zhvillimin ekonomik.
Në analizën e tij mbi zhvillimet aktuale, Guvernatori theksoi se pavarësisht ecurisë pozitive të ekonomisë shqiptare dhe stabilitetit monetar e financiar, pasiguritë globale mbeten të shumta.
Tensionet gjeopolitike, ndryshimet në zinxhirët e furnizimit dhe luhatjet e çmimeve të energjisë e ushqimeve, sipas tij, vazhdojnë të ndikojnë pritshmëritë e agjentëve ekonomikë dhe balancat tregtare të vendit.
Në të njëjtën kohë, tranzicioni drejt një ekonomie më të gjelbër dhe digjitale kërkon investime të mëdha dhe përmirësim të produktivitetit, ndërsa faktorë si plakja e popullsisë dhe emigracioni i forcës së punës po kufizojnë potencialin afatgjatë të rritjes.
“Rritja e qëndrueshme kërkon politika monetare e fiskale të kujdesshme, zhvillim të mëtejshëm të tregjeve financiare dhe reforma për rritjen e produktivitetit përmes inovacionit, konkurrencës dhe përfshirjes më të gjerë ekonomike,” theksoi Sejko.
Guvernatori kujtoi se takimi i këtij viti zhvillohet në kuadër të 100-vjetorit të krijimit të Bankës së Shqipërisë, një moment reflektimi për rrugëtimin institucional dhe për forcimin e rolit të saj në ekonominë shqiptare.
Ai u shpreh se Banka do të vazhdojë të thellojë bashkëpunimin me partnerët vendas dhe ndërkombëtarë, me synimin për të ndërtuar “një ekonomi më të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe rezistente ndaj goditjeve të jashtme”.
Punimet e workshop-it të këtij viti mbledhin përfaqësues nga banka qendrore të rajonit, akademikë dhe studiues të huaj, të cilët do të diskutojnë mbi tema si borxhi publik, inflacioni, tregjet e banesave, monedhat digjitale, efektet klimatike dhe financat e gjelbra.
Sipas Sejkos, këto janë fusha që kërkojnë një qasje të përbashkët kërkimore dhe ndarjen e dijeve për politika më efektive.
“Takime si ky workshop krijojnë hapësirën për reflektim, shkëmbim idesh dhe ndërtim të politikave më të mira për të ardhmen,” – përmbylli Guvernatori Sejko. /ekofin.al
