Vizita e Presidentit Erdogan në Shqipëri vjen në një nga momentet më të mira sa i përket marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve. Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, për 6-mujorin e parë të këtij viti, investimet turke zënë afro 20% të totalit prej rreth 750 milionë eurosh.
Turqia vijon të jetë një partner i rëndësishëm i Shqipërisë edhe në tregtinë ndërkombëtare. Për periudhën janar-gusht 2024, sipas shifrave të INSTAT, Turqia renditet partneri i dytë tregtar, duke zënë 8.1 % të vëllimit. Shkëmbimet tregtare me Turqinë njohën rritje në 8 muajt e këtij viti, duke arritur në 69.4 miliardë lekë.
Referuar të dhënave për periudhën janar-gusht eksportet shqiptare drejt Turqisë llogariten 2.7 miliardë lekë, ndërsa importet për periudhën 8-mujore llogariten 66.6 miliardë lekë.
Nga Turqia, në periudhën janar-tetor janë importuar 19.3 miliardë lekë materiale ndërtimi dhe metale, si edhe 7.5 miliardë lekë tekstile dhe këpucë.
Produktet më të eksportuara janë mineralet dhe metalet, bimët aromatike e mjekësore, dhe produktet fason.
Shqipëria ka një marrëveshje të tregtisë së lirë me Turqinë, të nënshkruar në 2006, dhe e cila ka hyrë në fuqi në maj 2008. Nëpërmjet kësaj marrëveshje dy vendeve u krijohen mundësi për rritjen e shkëmbimeve tregtare ndërmjet tyre.
Eksportuesit shqiptar mund të përfitojnë nga marrëveshja e tregtisë së lirë mes Shqipërisë dhe Turqisë, e cila u jep atyre mundësinë e eksportit të një numri produktesh shqiptare në tregun rajonal pa tarifa doganore ose me kuota tarifore. /ekofin.al

