Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave, me vendim, autorizoi shoqërinë aksionare shtetërore “KAYO”, sh.a. që, vetë ose nëpërmjet subjekteve të krijuara prej saj, të bëjë prodhimin dhe tregtimin e armëve, pjesëve të tyre, municioneve, teknologjive, pajisjeve, veshjeve dhe mjeteve të prodhuara ose të përshtatura në territorin e Republikës së Shqipërisë. Vendimi synon të krijojë një kanal të specializuar shtetëror për furnizimin e strukturave të sigurisë dhe shoqërive shtetërore të lidhura me to.
Sipas vendimit, “KAYO” do të jetë pika e parë e kontakteve për të gjitha strukturat e varësisë që kanë nevojë për produkte apo shërbime në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Nga sot e tutje, çdo autoritet që kërkon furnizim me mallra ose shërbime duhet t’i drejtohet me kërkesë zyrtare kësaj shoqërie, bazuar në listën e produkteve dhe shërbimeve që ajo ofron.
Për të siguruar transparencë dhe përditësim të ofertës, vendimi detyron “KAYO”-n që të dërgojë çdo gjashtë muaj te autoritetet kërkuese listën e mallrave dhe shërbimeve që ofron vetë ose nëpërmjet kompanive të krijuara prej saj. Kërkesat për furnizim duhet të paraqiten me shkrim dhe të shoqërohen me një projektdokument që përfshin qëllimin e përdorimit, referencat ligjore, specifikimet teknike, mënyrën e zbatimit dhe vlerën e projektit.
Pas marrjes së kërkesës, “KAYO” ka detyrimin të përgjigjet brenda 30 ditëve për mundësinë e përmbushjes së furnizimit. Nëse shpreh gatishmërinë për të furnizuar, autoritetet dhe shoqëria do të hyjnë në negociata të drejtpërdrejta për të finalizuar marrëveshjen. Në të kundërt, nëse “KAYO” s’mund të plotësojë kërkesën apo nuk përgjigjet brenda afatit, autoritetet mund të vazhdojnë procedurat e prokurimit sipas kuadrit ligjor për prokurimin publik ose atë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Qëllimi i qartë i vendimit është që nevojat e institucioneve të sigurisë të plotësohen në mënyrë të centralizuar dhe të harmonizuar, duke shtuar kapacitetin vendor të prodhimit të pajisjeve ushtarake dhe të sigurisë. Ndërkohë, mekanizmi i parashikuar ruan hapësirën për konkurrencë dhe prokurim publik kur oferta shtetërore nuk është e mjaftueshme.
Në zbatim të këtij vendimi ngarkohen vetë “KAYO”, të gjitha strukturat që operojnë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, organet e tyre të varësisë dhe shoqëritë aksionare shtetërore të krijuara prej tyre. Vendimi hyn në fuqi pas botimint në “Fletoren Zyrtare”./ekofin.al
