Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.5%, si dhe normat e interesit të depozitës dhe të kredisë njëditore përkatësisht në 1.5% dhe 3.5%.
Sipas Guvernatorit Gent Sejko, ky qëndrim i politikës monetare vlerësohet si i përshtatshëm për të garantuar stabilitetin e çmimeve dhe vijimin e rritjes ekonomike në vend.
Në konferencën për shtyp, Guvernatori Sejko theksoi se ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet me ritme të qëndrueshme, ndërsa parametrat kryesorë të stabilitetit makroekonomik – përfshirë inflacionin, kursin e këmbimit, kreditimin dhe balancat fiskale – mbeten të konsoliduar.
“Politika monetare ka pasur një kontribut pozitiv në këtë ecuri. Reagimi në kohë i Bankës së Shqipërisë ka mundësuar kontrollin e presioneve inflacioniste dhe ruajtjen e një ambienti të favorshëm për rritjen e konsumit, investimeve dhe kreditimit”, deklaroi Sejko.
Gjatë tremujorit të tretë, inflacioni mesatar i çmimeve të konsumit arriti në 2.4%, duke ruajtur një trend lehtë rritës, por gjithsesi poshtë objektivit prej 3%.
Rritja është ndikuar kryesisht nga çmimet e qirave dhe shërbimeve, ndërsa çmimet e ushqimeve kanë shënuar rënie.
Inflacioni bazë – që përjashton efektet e çmimeve të paqëndrueshme – u rrit në 2.9%, ndërsa inflacioni i importuar mbetet i ulët, i ndikuar nga forcimi i kursit të këmbimit dhe stabilizimi i çmimeve ndërkombëtare të energjisë dhe ushqimeve.
Sipas të dhënave të INSTAT, aktiviteti ekonomik u zgjerua me 3.6% në gjysmën e parë të vitit, i mbështetur nga konsumi familjar, investimet private dhe eksportet e shërbimeve – veçanërisht turizmi.
Punësimi në sektorin privat jobujqësor u rrit me 3.4%, ndërsa paga mesatare u rrit me 9.5%.
Megjithatë, Sejko theksoi se “tregu i punës mbetet nën tension për shkak të mungesës së ofertës së kualifikuar”, edhe pse rritja e pagave deri tani është absorbuar nga produktiviteti dhe fitimet e bizneseve, pa ndikuar ndjeshëm në inflacion.
Kredia për sektorin privat u rrit me 14% gjatë tremujorit të tretë, duke mbështetur zgjerimin e konsumit dhe investimeve.
Rritja është më e fortë në kreditë në lekë, në kreditë për investime dhe në segmentin e individëve, ndërkohë që është vënë re një ngadalësim i lehtë në kreditimin në valutë dhe për kapital qarkullues.
Sipas Bankës së Shqipërisë, cilësia e portofolit të kredisë mbetet e kënaqshme, dhe tregjet financiare karakterizohen nga likuiditet i bollshëm dhe norma të ulëta interesi.
Në përditësimin e parashikimeve, Banka e Shqipërisë pret që ekonomia të vijojë rritjen me ritme solide në horizontin afatmesëm, e mbështetur nga konsumi, investimet dhe turizmi.
Inflacioni pritet të kthehet në objektivin 3% gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, ndërsa rreziqet e kahut të poshtëm mbeten të lidhura me zhvillimet gjeopolitike ndërkombëtare dhe mungesat në tregun e punës.
“Balanca e presioneve afatmesme po afrohet gradualisht me objektivin tonë të inflacionit. Megjithatë, vendimet e ardhshme të politikës monetare do të varen nga të dhënat e reja dhe nga ecuria e presioneve të brendshme inflacioniste”, theksoi Sejko. /ekofin.al
