Maldivet kanë vendosur një ndalim të ri historik mbi duhanpirjen për të gjithë personat e lindur më 1 janar 2007 ose më pas, duke u bërë shteti i vetëm në botë që zbaton ndalimin për produktet e duhanit.
Ky ligj i ri, që hyri në fuqi më 1 nëntor, ndalon shitjen dhe blerjen e duhanit për të rinjtë nën këtë moshë – si për vendasit, ashtu edhe për turistët që vizitojnë arkipelagun e Oqeanit Indian.
Ministria e Shëndetësisë e përshkroi këtë vendim si “një arritje historike në përpjekjet e vendit për të mbrojtur shëndetin publik dhe për të promovuar një brez pa duhan,” duke theksuar se ndalimi “reflekton angazhimin e fortë të qeverisë për të mbrojtur të rinjtë nga dëmet e duhanit.”
Shitja e produkteve të duhanit për personat nën moshë tani është e dënueshme me gjobë deri në 50,000 rufiyaa (rreth 2,817 euro), ndërsa shitësit janë të detyruar të verifikojnë moshën e klientëve përpara çdo transaksioni.
Turistët që përdorin “vape” rrezikojnë gjobë prej 300 eurosh
Ligji i ri parashikon gjithashtu gjobë prej 5,000 rufiyaa (rreth 282 euro) për çdo të ri që përdor pajisje elektronike si “vape”.
Edhe përpara këtij ndalimi, Maldivet kishin rregulla të rrepta për cigaret elektronike.
Që nga viti 2024, është e ndaluar importimi, shitja, përdorimi, posedimi apo shpërndarja e cigareve elektronike dhe pajisjeve të avullimit për çdo person, pa përjashtim moshe.
Kjo do të thotë se vizitorët nuk mund të marrin me vete vape, as për përdorim personal.
Nëse mbërrini në kufi me një pajisje të tillë, ajo nuk do të konfiskohet me ndëshkim dhe nuk do t’ju mohohet hyrja, por pajisja do të sekuestrohet përkohësisht. Doganieri do t’ju japë një faturë konfirmimi, të cilën duhet ta paraqisni kur të largoheni nga vendi për ta rimarrë pajisjen tuaj.
Sa i përket produkteve të duhanit tradicional, vetëm udhëtarët me vizë turistike lejohen të importojnë sasi të kufizuara: deri në 200 cigare, ose 25 puro, ose 250 gram duhan.
Sasitë që tejkalojnë këto kufij konfiskohen dhe mbahen nga doganat deri në 30 ditë, ndërsa turistët mund t’i tërheqin këto produkte në terminalin e nisjeve të Aeroportit Ndërkombëtar Velana përpara largimit nga vendi.
Ministria: Ndalimi nuk do të ndikojë në turizëm
Sipas Ahmed Afaal, zëvendëskryetar i bordit të kontrollit të duhanit të Maldivëve, ndalimi nuk pritet të dekurajojë vizitorët në këtë destinacion me rreth 1,200 ishuj koralorë, botë nënujore dhe resorte luksoze.
“Njerëzit nuk vijnë në Maldive sepse mund të pijnë duhan,” tha ai. “Ata vijnë për plazhet, për detin, për diellin dhe për ajrin e pastër.” Afaal shtoi se ndalimi nuk ka shkaktuar asnjë anulim rezervimesh nga vizitorët ndërkombëtarë, përkundrazi, numri i turistëve është rritur gjatë vitit të fundit.
“Ne parashikojmë më shumë se 2 milion turistë vitin e ardhshëm,” përfundoi ai./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
